Hasan Salihamixhiç ka kthyer “pllakën” së fundmi në lidhje me vlerësimin ndaj kampionatit vendës. Boshnjaku, në fillim të sezonit aktual, e cilësoi Bundesligën jo si ligë konkurruese, madje duke e krahasuar stërvitjen e Bajernit më lart sesa ndeshjet zyrtare në ligën vendëse.
Megjithatë, hapat fals në kompeticionin në fjalë dhe rrezikimi i çështjes “titull” kanë bërë që Brazo të bëjë hapa mbrapa dhe ta vendosë brenda kornizave të trofeve të rëndësishëm: “Bundesliga është shumë e rëndësishme për ne. Fokusi është dhe do të jetë deri në javën e fundit në arritjen e objektivit titull”, shprehej 46-vjeçari.
Drejtori sportiv gjeti momentin e përshtatshëm për të thënë edhe dy fjalë rreth takimit të kthimit në Champions: “Në Mançester ishte lojë tepër intensive. Humbja nuk ishte e drejtë, sikurse rezultati. Aktivizimi përpara tifozëve do ta rrisë ndjeshëm motivimin dhe ambicien e lojtarëve tanë, pse jo të kualifikohemi”, e mbylli Salihamixhiç.