Forma e dobët e Çelsit nën drejtimin e trajnerit Graham Poter vazhdoi edhe këtë javë, ndërsa një goditje dënimi e Xhejm Uard-Prauzit në shtesën e pjesës së parë, regjistroi një fitore surprizë të Sauthemptonit të vendit të fundit në “Stamford Bridge”. Kapiteni i “Shenjtorëve” kaloi topin mbi barrierën e bluve dhe e dërgoi në trekëndësh nga një distancë në limitet e zonës.Ky rezultat i lë blutë e Londrës me vetëm dy fitore në 14 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet dhe kriza është totale.
Miqtë, të cilët aktualisht drejtohen nga Ruben Seles në kërkim të një trajneri të ri, e nisën shkëlqyeshëm ndeshjen në Londrën Perëndimore dhe iu afruan dy herë golit, përpara perlës së Uard-Prauzit: por Sulemana goditi drejt e te portieri Kepa, përpara se Kulibali të bllokonte Stjuart Armstrongun menjëherë më pas.
Por Poter vazhdon të këmbëngulë se nuk është ai problemi i Çelsit, ndërkohë që opinioni sportiv po përsërit gjithnjë e më shumë se sh-trajneri i Brajtonit duhet të lërë stolin.
“Pas humbjes 1-0 në shtëpi, çdo kritikë që të drejtohet është e kuptueshme. Ne kemi pasur një periudhë të vështirë dhe me shumë sfida sa i përket përshtatjes së lojtarëve të rinj me Premier Ligën. Kur ti nuk merr rezultatet mund të jetë e vështirë. Kështu është. Disa njerëz mendojnë se jam unë problemi. Nuk mendoj se ata kanë të drejtë, por kjo nuk do të thotë se ata nuk mund t’i shprehin mendimet e tyre. Ne bëmë një hap pas sa i përket lojës në pjesën e parë. Përgjigjja në të dytën ishte e mirë, por jo e mjaftueshme”. I pyetur nëse ai është ende njeriu i duhur për të mbajtur timonin e skuadrës dhe iu kërkua shpjegim përse mbërriti vonë në konferencën për shtyp pas humbjes, Poter tha: “Nuk ka asnjë konspiracion. Më vjen keq, por nuk mund t’ua jap diçka të tillë”.