Çelsi me plane të reja sezonin e ardhshëm, “Blutë” projektojnë në stol trajnerin që dështoi në Botëror

Pavarësisht mbi 600 milionë paundëve të shpenzuara mes merkatos së verës dhe asaj të dimrit, Çelsi nuk po arrin ende rezultatet e shpresuara për të sulmuar katërshen e parë të klasifikimit në Premier Ligë. Dhe sipas “The Sun”, drejtuesit amerikanë të bluve të Londrës po vënë në dyshim edhe pozicionin e trajnerit Graham Poter për sezonin e ardhshëm.47-vjeçari, i cili zëvendësoi Tomas Tuhelin dhe iu besua projekti i parë i pronarit Tod Bohli në “Stamford Bridge” mund të zëvendësohet me Luis Enriken.

Ish-trajneri i Barcelonës u largua nga stoli i kombëtares së Spanjës pas Botërorit të Katarit dhe aktualisht është duke shijuar pushimet.Çelsi renditet në vend të nëntë në Premier Ligë, me 30 pikë të grumbulluara pas 21 javësh. Vendin e katërt, i cili mbahet nga Njukasëlli, londinezët e shohin larg 10 pikë.