Çelsi në “hall” për trajnerin e ri, “Blutë” intervistojnë menjëherë dy teknikët e njohur

Çelsi nuk do të bëjë një lëvizje për trajnerin e Brajtonit, Roberto de Zerbi. Një listë prej pesë deri në shtatë kandidatësh për të zëvendësuar Graham Poterin e shkarkuar të dielën në mbrëmje është duke u hartuar nga pronari Tod Bohli. Së shpejti do të ketë kontakte me kandidatët e preferuar, por De Zerbi nuk është në profilin e trajnerëve të kërkuar.Sipas “The Telegraph”, blutë kanë folur tashmë me ish-trajnerin e Spanjës, Luis Enriken, dhe ish-menaxherin e Bajernit të Mynihut, Julian Nagelsman, i cili mendohet të jetë favorit për këtë detyrë.

Të dy thuhet se janë të interesuar për punën, por Nagelsman mund të jetë i përgatitur të marrë përgjegjësinë vetëm gjatë verës.

Çelsi admiron punën e italianit De Zerbi, por pavarësisht se respekton maksimalisht punën e tij të shkëlqyer te Brajtoni, ai nuk shihet si profili i duhur për të pasuar Poterin.

Në listë janë edhe tekniku i Fulhamit, Marko Silva, ish-trajneri i Totenhemit, Mauricio Poçetino, dhe ish-tekniku i Barcelonës, Luis Enrike.

Luçiano Spaleti i Napolit dhe Oliver Glasner i Eintrahtit të Frankfurtit janë gjithashtu në listën e kandidatëve për një intervistë të mundshme. Poter u shkarkua nga stoli i Çelsit 7 muaj pasi zëvendësoi Tomas Tuhelin në “Stamford Bridge”.

Aktualisht trajneri është me pushime dhe pas divorcit të hershëm do të largohet me një dëmshpërblim prej 13 milionë paundësh.