Tomas Tuhel e nisi në mënyrë pozitive eksperiencën në krye të Bajernit, e konkretizuar me suksesin ndaj rivalit më të madh në Gjermani, Dortmundit, dhe rrëmbimin e kreut. Përtej kësaj tabloje, tekniku 49-vjeçar kishte disa rezerva rreth paraqitjes nga të tijtë, duke e vendosur theksin më tepër në qarkullimin e topit dhe manovrat e ngadalta.TRAJNERI- “Fitorja ma largoi tensionin që kisha përpara ndeshjes, isha vërtet nervoz. Aktualisht jam mirë dhe i qetë mbi vazhdimësinë. Dëshira për të dominuar sfidën nga minuta e parë në të fundit çaloi në momente të caktuara. Nervozizmi na pushtoi në nisjen e lojës. Më pas filluam të ambientoheshim me kundërshtarin dhe ndjekjen e linjave në reparte të caktuara.
Vullneti për të punuar në mbajtjen e topit u dallua qartë si armë jo e fortë nga kampi ynë. E vështirë orvatja e sferës nga njeri krahë në tjetrin apo nga qendra me ritëm të shpejtë, çka krijon rrezik konstant në portën e kundërshtarit. ërmirësimi do të jetë kryefjalë në seancat e ardhshme stërvitore”, ceku Tuhel.
Tomas nuk e pati të vështirë rrëfimin e lajmërimit nga Bajerni për t’u bërë pjesë e tyre, madje edhe në paraskenën e saj.
EMËRTIMI- “Fillimisht u habita, nuk e prisja të merrja detyrën e trajnerit në këtë periudhë. Kisha menduar për në verë, pasi nuk është se ndodhesha në bisedime me ndonjë ekip dhe kështu thashë të pushoj edhe për ca kohë. Më pas erdhi telefonata me drejtuesit e bavarezëve dhe gjithçka u mbyll në mënyrë rrufe.
Ndërsa ju jeni duke bërë plane, jeta ju sjell befasi dhe ja ku jemi, teknik i një prej klubeve më të mëdha në botë. Ky është vetëm fillimi, javë intensive na presin përpara”, e mbylli deklaratën e tij Tuhel.
Frazat e mësipërme te gjermanit të bëjnë të kuptosh se prononcimi i Salihamixhiçit mbi nënshkrimet me 49-vjeçarin në këtë periudhë, me justifikimin se ai ishte gati të firmoste më ekipet e tjera, është gënjeshtër e zbuluar “pa dashje”.