Dëmtimi i rëndë i pësuar nga Armando Broja në miqësoren ndaj Aston Vilës, ka bërë që situata te Çelsi sa i përket repartit të sulmit të bëhet kritike. Blutë londinezë kanë shumë pak alternativa në repartin e avancuar me vetëm Aubamejang që mund të luajë tashmë në qendër të sulmit të tyre.Një situatë që ka kthyer përsëri në vëmendje emrin e Kristiano Ronaldos, i cili ka mbetur pa skuadër pas largimit nga Mançester Junajtid. Emri i futbollistit portugez kishte qarkulluar që në verë pranë bluve por asokohe Tomas Tuhel kishte bërë të qartë se nuk dëshironte një lojtar si Ronaldo i cili do të ndikonte në lojën e skuadrës, por jo detyrimisht në aspektin pozitiv të saj pasi dihet individualizmi i këtij lojtari.
Një mendim të cilin duket se e ndan edhe Graham Poter. Sipas “The Athletic”, pas dëmtimit të Brojës, është diskutuar edhe mundësia e nënshkrimit me yllin portugez, por trajneri i Çelsit, ashtu si paraardhësi i tij gjerman, ka bërë të qartë se nuk e dëshiron futbollistin në skuadër. Kjo, si pasojë edhe e sjelljes së tij kohët e fundit ndaj ish-klubit, duke vënë në diskutim zgjedhjet e trajnerit, sado të gabuara të ishin ato.