Kualifikimi në fazën e 1/ 8-ave ishte objektivi i parë sezonal i Interit dhe përmbushja e tij me sukses, u lejon zikaltërve të fokusohen tërësisht te kampionati në këto javë të mbetura.
Paradoksalisht, skuadra e Inzagit bëri në Champions League, atë që nuk arriti dot ta bëjë në Serinë A, pasi mori vendin e dytë në një grup ku nuk ishin pretendentë, ndërsa nuk ka shkuar dot më shumë se vendi i gjashtë në kampionatin, të cilin e nisën mes favoritëve.
Sidoqoftë, ecuria pozitive e muajit të fundit edhe në këtë kompeticion e ka rritur ndërgjegjësimin e zikaltërve se mund të rikuperojnë pikët e lëna në fillim dhe mund të rikthehen në garë për titullin.
Për ta bërë këtë ama, pengesa e parë është Juventusi dhe derbi i Italisë të dielën në mbrëmje, një sfidë që pavarësisht formës jooptimale në të cilën gjenden bardhezinjtë, nuk është asnjëherë një sfidë e zakonshme dhe si gjithmonë është e paparashikueshme.
Të vetëdijshëm për këtë janë të gjithë protagonistët zikaltër, që nuk presin një përballje të lehtë, por që nuk i tremben “Zonjës së Vjetër”.
Nga Onana te Darmian, kryefjala e lojtarëve të Interit ka qenë grupi, që sipas tyre është çelësi i fitoreve të deritanishme dhe presin të jetë përsëri grupi që do të hapë portën e fitores përballë Juves.
ONANA – “Unë po përmirësohem çdo ditë duke luajtur me këta djem. Janë të gjithë shumë të talentuar, cilësia tek Interi është e një niveli superior dhe tashmë si unë dhe skuadra jemi të qetë sepse gjërat po shkojnë mirë.
Ideja e këtij grupi të madh është të fitojë gjithmonë, si në Champions League dhe në kampionat.
Kemi një organikë fantastike dhe të plotë dhe do të synojmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Të mbrosh këtë fanellë është krenari, duam të mos ndalemi sepse jemi Interi”, u shpreh portieri kamerunas, që u përqendrua edhe te sfida e Juventusit, përgatitjet për të cilën kanë nisur dje:
“Kemi pak ditë në dispozicion për Juventusin, por jemi mësuar tani të luajmë shpesh. Stërvitemi çdo ditë për të dhënë më të mirën në
DE VRAJ – Mbrojtësi është ndër ata që ashtu si Interi po përpiqet të hyjë në rrugën e duhur edhe në aspektin personal dhe këtë e ka pohuar edhe për “Sportmediaset”:
“Skuadra po rritet dhe këtë po e shohin të gjithë. Objektivi i parë ishte të kalonim grupet dhe ia kemi arritur në një grup shumë të vështirë. Jemi treguar shumë të zotë, kemi arritur të krijojmë një grup, të kemi qasje pozitive ndaj të gjitha ndeshjeve.
E ndiejmë që jemi në rrugën e duhur, por e dimë që për të arritur atë që duam, si unë dhe skuadra duhet të rritemi akoma dhe kemi mundësinë për ta bërë këtë.
Na pret Juventusi, është një sfidë që të gjithë e dimë sa e rëndësishme është, dhe duam ta fitojmë patjetër”.
DARMIAN – Edhe për Mateo Darmianin, të qenit të bashkuar ka bërë që Interi të jetë dinjitoz në paraqitjet e tij në Europë.
“Kemi lojtarë të zotë në çdo repart, por ajo që ka ndryshuar është të qenit grup, që është dukur edhe në diferencën mes dy ndeshjeve ndaj Bajernit.
Tani duhet vetëm të shikojmë përpara, na pret një ndeshje emocionuese si ajo ndaj Juves dhe pas saj edhe dy të tjera për ta mbyllur si duhet këtë vit kalendarik.
Duam të marrim pikët e plota, na duhen dhe nuk duhet të gabojmë”, ishte fjala e mbrojtësit italian.