Deputeti socialist Agron Çela është paraqitur mëngjesin e sotme në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.Mësohet se deputeti është thirrur nga SPAK për të dhënë deklarime në lidhje me dosjen “CEZ-DIA”, dosje për të cilën është nën hetim edhe ish-presdienti Ilir Meta.Çela, asokohe krahu i djathtë i Ilir Metës, ka pasur një kompani që ka pasur marrëdhënie kontraktuale e Kastriot Ismailajn, ish-bosin e DIA-s dhe pritet të japë shpjegime për transaksionet ekonomike të kryera. Çela mban postin e deputetit Socialist në qarkun Shkodër, pas kalimit nga LSI tek PS.Kjo çështje nis në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek çekët e “CEZ”-it. Hetimet po kryhen lidhur me dyshimet për ngritjen e një skeme përvetësimi parash përmes mbledhjes së borxhit të faturave të papaguara të energjisë që qytetarët i kishin në atë kohë “CEZ”-it. Çështja është gjykuar një herë, por i vetmi i dënuar me 11 vite burg ishte Kastriot Ismailaj, ish-administrator i DIA-s. Nga hetimet e asaj kohe rezultoi se Kastriot Ismailaj i DIA-s ka përvetësuar të paktën 5 milionë dollarë nga “CEZ” përmes paraqitjes së faturave fiktive të mbledhjes së borxhit të keq. Skema dyshohet se është përdorur nga “CEZ” për të ndarë me pushtetarët shqiptarë paratë që akumuloheshin nga abuzimi i përbashkët.Paratë që CEZ i jepte Ismailajt kalonin si kosto në buxhetin e shtetit, pra në kurriz të qytetarëve shqiptarë, pasi CEZ ngrinte herë pas here pretendime për njohjen e borxhit të keq, uljen e çmimit të energjisë që blinte tek KESH dhe që ua shiste me shtrenjtë shqiptarëve, zhvlerësimin e aseteve të OSSH dhe favorizimeve të tjera. Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ disa vite më parë deklaroi në prokurori se Ilir Meta kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ.