Më shumë se Sasuolo që kaloi dhe se Napoli që i pret… Më shumë se udhëtimi në Lisbonë që vlen një nga objektivat sezonalë, fushëbeteja kryesore e kësaj jave për Juventusin është Roma, “Foro Italico”, një nga zonat më të bukura, por edhe jetike për fatet e bardhezinjve, për vazhdimësinë e sezonit.
Është ajo zonë e humbjeve të sivjetshme në kampionat kundër Romës dhe Lacios, ndonëse “ndeshja” të mërkurën do të luhet në një tjetër fushë, në atë të Kolegjit Arbitrar të Garancisë së Sportit, në “CONI” (Komiteti Olimpik Italian).
Kjo është shkalla e tretë dhe e fundit e gjykimit sportiv, praktikisht Kasacioni i drejtësisë sportive në Itali dhe ai është i thirrur që të gjykuar dhe të japë legjitimitetin final të vendimeve të dy shkallëve të mëparshme të gjykimit.
KUR DHE KUSH – Presidentja e Kolegjit të Garancisë së Sporteve, Gabriela Palmieri Sanduli, ka caktuar seancën për të mërkurën, 19 prill 2023, në orën 14:30, përpara kryetarëve të seksionit, Vito Branka, Atilio Zimatore, Masimo Zaçeo dhe Dante D’Alesio.
Përveç ankimimit të klubit kundër vendimit të Gjykatës Federale të Apelit, që vendosi dënimin me 15 pikë pas revokimit të dënimit të mëparshëm për fitimet e dyshimta kapitale, në kolegj do të jenë edhe ish-anëtarët e bordit drejtues të Juventusit: Andrea Anjeli, Fabio Paratiçi, Federiko Kerubini, Pavel Nedved, Mauricio Arrivabene, Paolo Garimberti, Azia Gracioli-Venier, Kaitlin Mari Hjuxhes, Daniela Marilungo, Françesko Ronkalio, Enriko Velano.
Federata Italiane e Futbollit nuk është bërë palë e akuzës, ndërsa ana tjetër përballë Juventusit do të jetë Prokurori i Përgjithshëm i Sportit, prefekti Ugo Taucer.
ÇFARË MUND TË NDODHË – Ekzistojnë tri mënyra të mundshme për të dalë nga seanca. Njëra, të refuzojë ankesën e Juventusit dhe të konfirmojë dënimin prej 15 pikësh të vendosur nga Gjykata Federale e Apelit.
Së dyti, pranon apelimin e Juventusit dhe anulon 15 pikët e dënimit nëse konstatohen gabime formale ose procedurale në formimin e marrjes së masës së dënimit në shkallët e mëparshme të gjykimit.
Mënyra e tretë është ajo e referimit në Gjykatën Federale të Apelit për të korrigjuar çdo defekt të treguar nga Kolegji i Garancisë dhe në dritën e tyre të rishqyrtojë procedurën, të arrijë në një dënim të ri dhe të shkruajë arsye të reja, që mund të nënkuptojnë (ose jo) gjithashtu një riformulim në terma të ndryshëm të dënimit. Në rastin e fundit, 15 pikët do t’i riktheheshin momentalisht Juves, në pritje të riformulimit të ri të akuzës.
SKENARËT — Ai për plusvalencat është vetëm nyja e parë e drejtësisë sportive e lindur nga letrat e hetimit “Prisma”, në Prokurorinë e Torinos për frontin kriminal.
E dyta, është ajo që bashkon partneritetet mes klubeve të tjera, marrëdhëniet me agjentët dhe mbi të gjitha kontabilitetin e diskutueshëm të dy manovrave të pagave të transferimeve, çështje të cilën Prokuroria Federale e rihapi dhe sapo ka mbyllur sërish dosjen sportive, më 12 prill.
Mbrojtja (në këtë rast Juventusi) ka 15 ditë kohë për të paraqitur raporte dhe të kërkoj që brenda një muaji të vijë edhe zhvillimi i seancës gjyqësore.
Por gjatë kësaj kohe mes marrjes së vendimit dhe mbrojtjes, pala e akuzuar mund të kërkojë edhe një marrëveshje për pranimin e fajësisë, por me ulje deri në gjysmën e dënimit nëse është para përgjigjes së gjykatës, ose 1/3-ën e dënimit nëse pakti i kërkuar ndodh pas dhënies së vendimit final.
Teorikisht, çështja e plusvalencave dhe e pagave të fshehura nga Juventusi nuk kanë lidhje mes tyre, por në realitet ato janë shumë të ndërlidhura mes tyre, duke qenë se kanë dalë si pjesë e të njëjtit hetim penal, ndonëse për to janë dy procedime të ndryshme penale.
Prandaj, ideja është se si vendimi që do të dalë të mërkurën, nga Kolegji i Garancisë në “CONI”, i tillë do të jetë edhe fundi i gjyqit për çështjen e pagave.
Por, me dhënien e një mesazhi të fortë, duke nisur nga emri Juventus, se të tilla çështje në vazhdim do të censurohen dhe mund të krijohet një shtesë ligjore për të vënë në vendin e duhur çdo çështje që lidhet me plusvalencat dhe bilancet e fshehura apo të shtyra për t’u paguan një sezon apo në sezone të tjera pasuese.