Do japë dorëheqjen për Barçën? Arteta: Janë lajme të rreme. Trajneri i Arsenalit konfirmon besnikërinë

Mikel Arteta ka hedhur poshtë lajmet që e lidhin emrin e tij me një kalim në stolin e Barcelonës këtë verë, duke përsëritur angazhimin e tij ndaj Arsenalit. Lajmet në Spanjë kanë sugjeruar se shefi i “topçinjve” ka ndërmend të largohet nga “Emirates” në fund të sezonit, me një numër mediash në Spanjë që e lidhin atë me stolin e Barcelonës, pasi Ksavi njoftoi se do të largohej nga “Camp Nou” në fund të sezonit.

“Diario Sport” raportoi se spanjolli kishte informuar menaxherët e tij se ai ishte i hapur për t’u larguar nga “Emirates” pas përfundimit të sezonit aktual. Megjithatë, përpara ndeshjes së sotme kundër Notingem Forestit, ish-kapiteni i Arsenalit hodhi poshtë gjithçka: “Jo, nuk do të largohem. Ky është një lajm krejtësisht i rremë. Nuk e di nga vjen, është krejtësisht e pavërtetë dhe jam shumë i mërzitur për këtë.

Nuk mund ta besoja. Nuk ka burime. Duhet të jeni të kujdesshëm kur i shkruani gjërat ashtu siç ndodhi dje. Unë jam në vendin e duhur dhe ndihem mirë për këtë. Unë jam duke përqafuar një rrugëtim me këtë klub dhe kam ende një rrugë të gjatë për të bërë”. Ai ka një kontratë në “Emirates” deri në verën e vitit 2025, por spanjolli pranoi se nuk ka pasur bisedime për një marrëveshje të re me londinezoveriorët:

“Unë kam një marrëdhënie të fortë me bordin, me Edunë, skuadrën dhe pronarët Gjërat vijnë në një mënyrë të natyrshme. Kur të jetë koha e duhur, ne do t’i kemi ato diskutime dhe do të gjejmë mënyrën më të mirë për ta bërë këtë. Unë jam i kujdesshëm kur flas publikisht për gjërat e mia personale. Nuk mendoj se dikush meriton ta dëgjojë këtë në lajme të tilla”.