Një menaxher i njohur grek rrezikon përjashtimin nga të gjithë aktivitetet futbollistike pasi ka kërcënuar drejtorin sportiv të Sampdorias, Karlo Osti. Gjyqi i nisur në Xhenoa ka zbuluar prapaskenat e ngjarjes së ndodhur në qershorin e vitit 2021 kur Antonios Apostolopulos, ka kërcënuar nëpërmjet disa mesazheve audio në WhatsApp drejtuesin e skuadrës italiane për një transferim që nuk u realizua.
“Herën e kaluar ishe me fat, pasi ishin të pranishëm edhe dy persona të tjerë, përndryshe në këtë moment do të ishe në spital. Herën tjetër që do të të shoh nuk do të të kursej, herën tjetër që të shoh do të të thyej turinjtë dhe pikë”, dëgjohet në një nga këto mesazhe.
“Nuk tallem, pyet se kush jam unë, unë nuk tallem, herën tjetër që të më shohësh, ik me vrap, unë të thyej turinjtë, të ënjt në një mënyrë të pabesueshme”, dëgjohet në një tjetër mesazh kërcënues të dërguar nga menaxheri. Gjykata ka caktuar seancën dëgjimore me datë 5 dhjetor dhe në rast se menaxheri grek do të shpallet fajtor, rrezikon të përjashtohet përgjithmonë nga bota e futbollit.
Antonios Apostolopulos është menaxher i disa emrave të njohur si Kirikopulos i Sasuolos apo Tzolakis i Olimpiakos. Ndërkohë, mes futbollistëve që përfaqëson është edhe ish-sulmuesi i Shqipërisë U17, Kristo Shehu, i cili në vitin 2019 braktisi kuqezinjtë për t’iu bashkuar Greqisë U19, ndërsa tani luan në kategorinë e tretë greke.