“Lionel Mesi i jep avantazhin special Argjentinës kundër Kroacisë”, thotë mbrojtësi i majtë Nikolas Taljafiko përpara gjysmëfinales së sotme. Kapiteni i “La Albiçeleste” është vetëm dy ndeshje larg lavdisë.Ai ka fituar çdo trofe të mundshëm përveç Kupës së Botës dhe ky do të jetë shansi i fundit i tij për të shkruar emrin e tij me germa të arta. Taljafiko, i cili ishte i pranishëm në konferencën e djeshme bashkë me trajnerin Skaloni, vlerësoi sulmuesin veteran dhe tha se ai do të jetë diferenca sot në duelin me ballkanasit: “Ka qenë gjithnjë i tillë. Për ne ai është kapiteni, lideri ynë dhe jemi shumë të lumtur që e kemi kapitenin tonë. Është gjëja më e bukur të fitosh me Mesin në krah. Kur jemi në fushë e dimë që kemi Mesin. Kemi mjaftueshëm eksperiencë në këtë Botëror për të mbërritur në këtë skenë. E dimë që do të ketë momente në ndeshjet me eliminim direkt ku do të vuajmë. Por ne e kemi eksperiencën. Na duhet mjaftueshëm karakter për t’i shkuar deri në fund dhe kjo na motivon”.
30-vjeçari u ndal të komentonte edhe tensionin mes lojtarëve në ndeshjen çerekfinale kundër Holandës, për të cilin Argjentina u vendos edhe nën akuzë: “Janë situata që ndodhin në botën e futbollit. Ne nuk jemi makina. Emocionet janë të mëdha dhe ka ndodhur edhe në ndeshje të mëparshme dhe do të ndodhë sërish. Ishte një çerekfinale Botërori”, përfundoi ai.