Deputeti demokrat, Lefter Gështenja denoncoi një skandal që vjen pikërisht në kohën kur vendi po kalon një nga krizat më të thella ekonomike.
Sipas tij, në këtë kohë, Ministria e jashtme do shpenzojë 1 milion euro vetëm për figuracione udhëtimi.
“Kriza ekonomike po gërryen familjet shqiptare por për qeveritarët është krejt ndryshe.
Si asnjëherë më parë, qeveria do shpenzojë 926 mijë euro vetëm për të paguar siguracione udhëtimi për punonjësit e ministrisë së Jashtme deri në fund të këtij viti.
Kjo procedurë luksi bëhet në një kohë kur nevoja për ato para është kaq e madhe për të mbuluar gropat e krizës. Por për qeverinë Rama dhe ministren Xhaçka, harxhimi i këtyre para vlen më shumë se familjet në nevojë.
Me pak fjalë, qeveria do harxhojë 2800 euro për çdo diplomat shqiptar dhe familjarët e tyre për udhëtime imagjinare. Sipas dokumenteve të tenderit, ky siguracion do vlejë për 335 persona, diplomatët dhe familjarët e tyre.
Vlera e këtij tenderi është edhe më e madhe se kostoja e vetë udhëtimit të diplomatëve shqiptare.
Në këto kohe krize, udhëtimet janë kufizuar nga të gjitha vendet por për Ramën kjo nuk përbën asnjë shqetësim për të vjedhur e shpërdoruar paratë publike.
Anulimi i këtij tenderi dhe shumë të tjerëve është kusht për të administruar krizën ekonomike,” shkruan ai.