Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka dhënë intervistën e tij të parë për mediat. Edhe nëse dënohet, pretendon Trump, ai nuk planifikon të tërhiqet nga gara për një mandat të ri në Shtëpinë e Bardhë. Pasi shkaktoi furtunë me arrestimin e tij dhe më pas me lirimin, ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump në një intervistë për “Fox Neës”, ka deklaruar se ka diçka që nuk shkon me Joe Biden. “Nuk është e bukur ta them unë, por nuk e kuptoj se si mund të kandidojë. Ka diçka që nuk shkon. Por, nuk e them për moshën. Për shembull, senatori Bernie Sanders, që është 81 vjeç, është 100% në rregull. Por, mendoj se njerëzit e përmendin moshën sepse unë jam vetëm 5 vite më i ri. Mendojnë se kjo është një mënyrë për të më nxjerrë jashtë loje”, tha ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë. “Thjesht nuk e shikoj Bidenin si kandidat nga pikëpamja fizike dhe mendore”, shtoi Trump. Po ashtu 76-vjeçari theksoi se vetë nuk do të tërhiqet nga kandidimi në asnjë rast, edhe nëse dënohet nga gjykata: “Nuk jam nga ata unë, nuk do të tërhiqesha kurrë”.
Trump flet për Putinin
Një pjesë e madhe e intervistës iu kushtua politikës së jashtme, siç pritej, në formën e kritikave të ashpra ndaj administratës aktuale të pasardhësit të Trump, Joe Biden , gjë që e bën Amerikën të dobët në skenën globale. “Kam folur shpesh me Putinin për Ukrainën. Ai la të kuptohej se e konsideronte territor rus, por më pas i thashë: “Jo, Vladimir! Jo derisa jam president! Dhe ai iu bind. Pastaj, kur i pa këta budallenj në administratën e Bidenit, vendosi të sulmojë”, shpjegoi Trump, duke e përshkruar ish-kolegun e tij rus si një “lider shumë të zgjuar”. Trump ka folur në lidhje dhe me shpërthimin e Nord Stream, teksa siguroi se Rusia nuk ishte përgjegjëse e këtij incidenti. Trump u shpreh se Rusia nuk qëndron pas sulmit. “Unë nuk dua ta fus vendin tonë në telashe, kështu që nuk do t’i përgjigjem,” tha Trump për Fox Neës, duke iu përgjigjur një pyetjeje se kush ishte pas sabotazhit. “Por unë mund t’ju them se kush nuk ishte autori i sabotimit dhe kjo është Rusia,” tha ish-presidenti. “Kur fajësuan Rusinë ata thanë se Rusia hodhi në erë tubacionin e saj”, tha Trump, duke treguar absurditetin e këtij versioni.
Afganistani
Ndonëse gjatë mandatit të tij ai mbrojti haptazi tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Afganistani, ai sulmoi pasardhësin e tij për mënyrën se si u krye operacioni. “U nisëm sikur të dorëzoheshim dhe lamë pas pajisje me vlerë 85 milionë dollarë. Edhe qentë i lamë pas. Unë i dua shumë qentë. Ju gjithashtu duhet të doni qentë. Të gjithë i duan qentë. I lanë në Afganistan”, tha ish-presidenti dhe shtoi se nëse ai do ta udhëhiqte atë operacion, nuk do të kishin lënë pas asnjë vidë. “Kam pasur një diskutim me një 5-vjeçar për tërheqjen nga Afganistani dhe i kam paraqitur faktorët. Ai tha se do ta evakuonte ushtrinë i fundit. Dhe administrata Biden ishte e para që i nxori ata jashtë vendit. Çmenduri!”, tha ai.
Kina dhe Koreja e Veriut
Në një intervistë shpërthyese, Trump e quajti presidentin kinez një “njeri brilant” dhe pranoi se edhe sot e kësaj dite ai mban marrëdhënie të ngushta me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un. “I thashë kinezëve të mos shkonin në Tajvan. Ata më dëgjuan sepse i paralajmërova se nëse bëjnë një lëvizje të gabuar, do të kenë probleme me mua”, shpjegoi Trump. Ai shtoi se Xi Jinping nuk i besonte plotësisht, “por ai i besonte dhjetë për qind”, gjë që mjaftoi që ai të hiqte dorë nga planet e tij. Presidenti francez, Emanuel Macronj është një prej objektivave të breshërisë së akuzave të Trump. Ish-presidenti amerikan akuzoi kreun e Elysee se ai shkoi që t’i “lëpinte këmbët” homologut të tij kinez Xi pas vizitës së tij të fundit në Pekin . Trump akuzoi administratën Biden për dobësim të ndjeshëm të udhëheqjes amerikane në arenën ndërkombëtare, deri në atë pikë sa humbi mbështetjen e aleatëve të saj tradicionalë.