Dortmundi i vendos të ardhmen në stolin e Çelsit, Poter: Jemi mësuar të luajmë nën presion

Fati i stolit të tij kalon nga Lidsi dhe Borusia e Dortmundit. Graham Poter e kapërceu me sukses sprovën e parë të shtunën në Premier Ligë, por e di që një eliminim sot nga 1/8-at e Champions-it, mund të rezultojë fatal për pankinën e tij.Blutë e Londrës humbën 1-0 ndeshjen e vajtjes në Gjermani dhe sot duhet të përmbysin disavantazin minimal për të siguruar biletën në çerekfinale.

“Është një ndeshje e madhe, një ndeshje emocionuese. Do të jetë një mbrëmje speciale në ‘Stamford Bridge’ dhe ne mezi po e presim. Jemi optimistë dhe do të përpiqemi ta fitojmë ndeshjen. Dortmundi është një kundërshtar fantastik dhe vijnë në një formë të shkëlqyer, duke fituar në vazhdimësi. Presioni? Në pozicionin që ne jemi, duhet ta mirëpresim gjithnjë presionin. Kjo do të thotë se jemi në një situatë fantastike për të luftuar për çerekfinalet. Unë po mendoj vetëm sesa e rëndësishme është për skuadrën dhe klubin për të shkuar në 8 skuadrat më të mira. Po luajmë kundër një kundërshtari klasi dhe është një sfidë e jashtëzakonshme, por në të njëjtën kohë një shans. Do të japim gjithçka”, tha tekniku 47-vjeçar në konferencë.

Lajmi i mirë për të dje ishte rikthimi në stërvitje i mbrojtësit të djathtë, Ris Xhejms, i cili mungoi të shtunën kundër Lidsit për shkak të një tërheqjeje muskulore. Por Poter tha: “Xhejms është rikthyer në stërvitje, por vendimin do ta marrim ditën e ndeshjes”.