Dosja / Brunilda Bekteshi e Vetingut evazion fiskal dhe mashtrim me të ardhurat si përmbaruese. Kush kërkon ta shpëtojë nga duart e SPAK-ut?!

Ka marrë pjesë në gjykimin dhe shkarkimin nga detyra të dhjetëra prokurorëve dhe gjyqtarëve për fshehje pasurie, por vetë rezulton më e kompromentuar se sa disa nga magjistratët që ka shkarkuar. Bëhet fjalë për anëtaren e shkallës së parë të Vetingut, Brunilda Bekteshi, e cila dyshohet se është përfshirë në falsifikim dokumentesh, evazion fiskal, mashtrim me tasat, fshehje të ardhurash dhe mashtrim me pasurinë, veprime për të cilat janë shkarkuar rreth 200 gjyqtarë dhe prokurorë.

 

Le të ndalemi tek faktet. Brunilda Bekteshi rezulton e punësuar si përmbaruese gjatë periudhës 2013-2016, në formën e personit fizik, me nipt L31421005M. Brunilda Bekteshi është regjistruar si person fizik në shkurt 2013. Bekteshi nuk ka deklaruar pagën për muajit mars-shtator 2013, duke mos paguar sigurimet shoqërore, mashtruar sigurimet dhe mos deklaruar punësimin.

 

 

Bekteshit i mbushet mendja për të deklaruar punësimin për disa muaj në vitin 2014, por jo për muajit qershor, korrik, grusht dhe shtator të këtij viti, edhe pse subjekti person fizik, referuar historikut në QKB, nuk rezulton që të ketë pezulluar aktivitetin.

Në 2015, Brunilda Bekteshi ka deklaruar zero të ardhura dhe asnjë pagë, ndërsa gjatë vitit 2016, ka deklaruar pagën vetëm për muajin korrik. SPAK duhet të verifikojë titujt ekzekutivë dhe vendimet që ka ekzekutuar Brunilda Bekteshi, gjatë periudhës 2013-2016, për të faktuar jo vetëm mashtrimin me pagat, por edhe fshehjen e të ardhurave.

Nga ana tjetër, dokumentet e tregojnë Brunilda Bekteshin edhe një juriste të dështuar, pasi për vitin 2013, për shembull, ka deklaruar të ardhura nga aktiviteti si përmbaruese në vlerë 95 mijë lekë, ndërsa gjatë viteve të tjera zero të ardhura.

A mund të konsiderohet e shquar një juriste e tillë?!

Dhe si arriti të zgjidhej Bekteshi në KPK me këtë performancë?!

Mbase për këtë mund të përgjigjet Fatmir Xhafaj, i njohur si ‘ujku i bardhë’.