Juventusi duket se mund t’ia hedhë pa u lagur pas skandalit që e ka përfshirë sa i përket mashtrimit financiar për të cilin akuzohet se ka kryer duke ndryshuar në mënyrë fiktive të dhënat e bilanceve financiare. Bardhezinjtë janë ende nën hetim nga drejtësia sportive dhe nga UEFA, por për momentin kanë zgjidhur problemet madhore me shtetin italian.Prokuroria e Torinos kishte hapur çështje kundër drejtuesve të lartë të klubit dhe personave të tjerë të përfshirë në çështjet e ndryshimit të bilanceve financiare nëpërmjet injektimit në mënyrë fiktive të të ardhurave falë plusvalencave apo duke paguar në të zezë futbollistët. Por në fund, gjithçka është mbyllur pa pasoja për klubin.
Kjo, pasi gjykata e shkallës së parë në Torino kishte hedhur poshtë pretendimin e Prokurorisë së Torinos, duke bërë të qartë se “lëvizjet e rrogave”, ku lojtarët ishin paguar në të zezë ndërsa deklarohej se kishin falur pagat e tyre, ishin bërë në një periudhë emergjence të COVID, ndaj në “një periudhe historike që nuk është më aktuale”. Ky argumentim bënte të qartë që Prokuroria e Torinos duhej të zbulonte fakte për situatën aktuale dhe kjo e fundit ka vendosur të heqë dorë nga apelimi, edhe pse ishte caktuar seanca me 21 dhjetor, duke tërhequr kërkesën e saj.
Tani mbetet të shihet se si do të veprojë shoqata për mbrojtjen e konsumatorëve në Itali që ngriti alarmin për çështjen e plusvalencave, ashtu si edhe drejtësia sportive. Por kjo fitore e parë përballë shtetit italian, ia bën shumë më të thjeshtë punën Juventusit në vijim.