Sulmuesi i Totenhemit, Heung Min Son, është një nga rreziqet e Milanit për ndeshjen e sotme. Sulmues i majtë, i pajisur me driblime, e sidomos goditje nga distanca.Mesias apo Salmakers do të kenë një test të vështirë ndaj koreanit, i cili duke folur në lidhje me ndeshjen e sotme të orës 21:00, ka deklaruar: “Humbja e ndeshjes së parë duhet lënë pas krahëve. Kemi nevojë të përqendrohemi, sepse kemi një ndeshje me shumë rëndësi pas disa orësh. Nuk dua të flas shumë tani, sepse mendojmë vetëm për të reaguar. E njohim peshën e përballjes, e cila është më e rëndësishmja e sezonit tonë”.
Koreani ka edhe “sugjerime” për shokët, të cilat i dha nëpërmjet konferencës për shtyp krah trajnerit Konte.
“Milani luan në mënyrë të ngjashme me ne, në fund të fundit në Champions të gjitha janë ekipe të forta. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, edhe për sa u përket dueleve individuale. Kushdo që nuk ndihet gati, nuk duhet t’i luajë këto lojëra. E filluam keq duke humbur ndeshjen e parë, ndërkohë Ligën e Kampionëve gjithmonë duhet të luash me nivel të shkëlqyera. Këtë herë do të japim gjithçka”, përfundoi sulmuesi.