Nga e diela e 26 shkurtit tek ajo e 5 marsit kanë kaluar vetëm 7 ditë. Një kohë e shkurtër, shumë madje, për Mançester Junajtidin për të shkuar nga parajsa në ferr. Të gjithë ishin të lumtur më 26 shkurt, me Junajtidin që kthehej të fitonte një trofe pas 6 vitesh (Kupa e Ligës në finale përballë Njukasëllit).Të gjithë ishin heronj. Por një javë më pas… ka ardhur turpërimi historik përballë as më shumë e as më pak, por nga rivalët më të urryer, Liverpuli. Një humbje 0-7 në “Anfield”, që do të kujtohet për vite me radhë dhe që ka fshirë edhe suksesin e pak ditëve më parë në Kupën e Ligës. Askush nuk ka kursyer Junajtidin. Por më ashpër në komentet e tyre kanë qenë legjendat e këtij klubi, Geri Nevil apo Roi Kin.
Ish-kapiteni, Roi Kin e ka cilësuar të turpshme paraqitjen e bërë në “Anfield”. Në një koment të gjatë për “Sky Sports”, Roi Kin ka nënvizuar se lojtarët e Junajtidit duhet të fshihen e të mos dalin në qarkullim për muaj me radhë pas asaj humbjeje me Liverpulin.
“Ata (Junajtidi) fituan Kupën e Ligës javën e kaluar dhe po festonin me të drejtë, ndonëse m’u duk pak e tepruar. Gjithnjë mendoj se lojtarët duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë, sepse ky është një sport që mund të të bëjë gjëmën, të të turpërojë siç ndodhi. Kur lojtarët po dilnin në fushë nga pushimi (në Liverpul) pash që disa prej tyre po bënin shaka me disa pjesëtarë të stafit të Liverpulit, ndërkohë që po humbitnin 0-1. Ishte një shfaqje e turpshme. Më duket sikur cirku është kthyer në qytet sërish dhe lojtarët e trajneri duhet ta shohin mirë këtë. Nëse unë do të isha protagonist i këtij turpërimi do të fshihesha, nuk do të dilja në qytet”