Dumani numëron dënimet, Mariglen Basho numëron gradat/ “pastrim” me shifra, por jo me standard, pse Policia e Shtetit vijon të përthithë botën e krimit

Deklaratat e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, se vetëm brenda një viti janë dënuar rreth 70 punonjës të Policisë së Shtetit, janë përdorur si provë se procesi i pastrimit të institucionit po ecën përpara. Në plan formal, këto shifra tregojnë veprimtari hetimore dhe ndëshkim. Në plan praktik, megjithatë, realiteti që del nga një sërë rastesh të denoncuara publikisht tregon një problem më të thellë: sa më shumë flitet për pastrim, aq më shumë evidentohet se policia vijon të ushqehet me elementë të dyshimtë, të lidhur ose tolerantë ndaj botës së krimit.

Problemi nuk qëndron vetëm te fakti se disa punonjës policie janë ndëshkuar pas hetimeve të SPAK. Problemi qëndron te mekanizmi i brendshëm i Policisë së Shtetit, i cili duket se nuk funksionon si filtër parandalues. Ndërsa disa individë largohen ose dënohen, të tjerë hyjnë, qëndrojnë dhe avancojnë, edhe kur mbi ta rëndojnë dyshime serioze për mosveprim, moskallëzim krimi apo shpërdorim detyre. Kjo krijon një qark vicioz: largimet kompensohen nga prurje të reja problematike dhe pastrimi mbetet vetëm statistikor.

Një nga rastet që ilustron këtë kontradiktë është ai i Mariglen Bashos, i përmendur në një ngjarje të rëndë të ndodhur në Sarandë në qershor 2020. Sipas raportimeve mediatike, ngjarja përfshinte një konflikt të dhunshëm me pretendime për përdorim arme zjarri, kërcënim serioz për jetën e një qytetari dhe prani të një numri të madh dëshmitarësh. Zona, sipas deklarimeve, ishte e mbuluar me kamera sigurie private dhe publike, çka në kushte normale do ta bënte hetimin relativisht të thjeshtë.

Megjithatë, rezultati procedural ishte i kundërt: arma nuk u sekuestrua, pamjet filmike nuk u administruan, ndërsa në dosje rezultojnë të pyetur vetëm tre dëshmitarë, të cilët, sipas raportimeve, ishin të afërt me autorin e dyshuar. Dëshmitarë të tjerë që kanë deklaruar publikisht se kanë parë armën dhe dhunën nuk rezultojnë të jenë marrë në pyetje. Prokuroria e Sarandës e pushoi çështjen për mungesë provash, duke mbyllur kështu një dosje ku mungesa e provave lidhej drejtpërdrejt me faktin se ato nuk u siguruan në kohë.

Në këtë ngjarje, Mariglen Basho përmendet si inspektor zone. Sipas materialeve të bëra publike, ai fillimisht ka deklaruar se është njohur me ngjarjen nga spitali, ndërsa më pas ka pranuar se ka qenë i pranishëm në vendngjarje, duke këmbëngulur se nuk ka konstatuar përdorim arme dhe se bëhej fjalë për një “konflikt momental”. Këto mospërputhje në deklarime janw dyshime të forta për moskallëzim krimi dhe mosveprim shpwrdorim detyre, shkelje që, do të përbënin përgjegjësi të rëndë penale dhe disiplinore për çdo punonjës policie.

Pavarësisht këtyre elementeve të denoncuara publikisht, çështja u mbyll dhe, sipas informacioneve të raportuara, Basha ka vijuar karrierën në Policinë e Shtetit dhe është ngritur në detyrë. Ky fakt është bërë simbol i kritikës më të gjerë: ndërsa SPAK godet disa individë, sistemi i brendshëm i policisë lejon që raste të tilla të mos kenë asnjë pasojë reale, madje të shoqërohen me avancim.

Kjo situatë e bën problematik vetë narrativën e “pastrimit”. Pastrimi i vërtetë nuk matet vetëm me numrin e të dënuarve, por me aftësinë e institucionit për të mos prodhuar raste të reja. Kur një punonjës policie i përmendur në një ngjarje të rëndë, me dyshime për moskallëzim krimi, nuk hetohet në mënyrë transparente dhe më pas avancon, mesazhi që përçohet është i qartë: problemi nuk është i izoluar, por strukturor.

Në këtë kontekst, deklaratat e Altin Dumanit për ekzistencën e elementëve kriminalë brenda policisë marrin një kuptim edhe më të fortë. Ato nuk janë thjesht konstatim i së shkuarës, por sinjal alarmi për të tashmen. Sepse, nëse pas çdo vale dënimesh vjen një valë e re individësh të dyshimtë, atëherë lufta kundër kriminalizimit të policisë mbetet e papërfunduar.

Në fund, pyetja kryesore nuk është sa policë janë dënuar, por sa raste si ai i Sarandës po kalojnë pa përgjegjësi. Pa transparencë mbi verifikimet e integritetit, pa hetime disiplinore reale dhe pa standarde të qarta për ngritjen në detyrë, Policia e Shtetit rrezikon të mbetet një institucion që pastrohet në letër, por infektohet vazhdimisht në praktikë. Dhe ky është problemi real që asnjë shifër, sado e lartë, nuk e mbulon dot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *