Dy artistët e rinj të TKOB-së fitues të konkursit për këngëtarët lirik “Comunita Europea”

Baritoni Artur Vera dhe sopranoja Suada Gjergji u shpallën fitues të edicionit të 77 të konkursit për këngëtarët e rinj lirik “Comunita Europea”, në Spoleto të Italisë, mes 100 të rinjve nga e gjithë Evropa. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se edhe njëherë, artistët e rinj po dëshmojnë se sa potencial kanë për të qenë ambasadorë të denjë të teatrit në çdo konkurs ndërkombëtar. Për dy artistët edhe drejtoresha e përgjithshme e TKOB Abigeila Voshtina shprehet se këta të rinj kanë spikatur në këtë teatër. “Krenare të shoh se si të rinjtë, të cilët kanë spikatur në TKOB, lartësojnë anekënd, në mënyrë dinjitoze, vlerat tona kombëtare kulturore dhe promovojnë potencialin e tyre në zhanre të ndryshme muzikorë!”, shkruan Voshtina në rrjete sociale. Konkursi u zhvillua në Teatro Nuovo Gian Carlo Menotti, në Spoleto dhe artistët shqiptarë u renditën mes 10 emrave fitues. Herë pas here Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (TKOB) bën me dije punën që bëhet me të rinjtë artistë në këtë institucionin. Të rinj të ndryshëm janë pjesë e projekteve artistike, që zhvillohen nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit gjatë sezonit artistik. Më parë edhe artistë të tjerë që janë pjesë e këtij institucioni janë shpallur fitues në konkurset jashtë vendit, si baritoni Xhieldo Hyseni që triumfoi në garën e 74-të të këngëtarëve të rinj të AsLiCo-së për vitin 2023. Gara AsLiCo është një garë tejet e çmuar, që ka lançuar karriera të shumë këngëtarëve të talentuar të operas. Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në vendin tonë. TKOBAP është institucioni i krijimit, prodhimit dhe interpretimit të repertorit më të mirë skenik gjithëpërfshirës, kombëtar e ndërkombëtar.