Dyshime serioze për konflikt interesi dhe korrupsion në nivelet më të larta të sistemit të drejtësisë po dalin në dritë lidhur me ish-Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, dhe mënyrën se si janë deklaruar e përdorur pasuritë e saj gjatë kohës që ajo ushtronte funksionin më të lartë të akuzës në vend.
Sipas deklarimeve zyrtare të dorëzuara pranë ILDKPI, Ina Rama ka regjistruar si pasuri një kat pallati në zonën e Digës së Liqenit Artificial, ku një apartament rezultonte fillimisht i regjistruar në emër të Artur Lukut, shokut të saj të fëmijërisë. Megjithatë, burime tw sigurta bëjnë me dije se Luku nuk ka jetuar kurrë në këtë pronë, ndërsa i gjithë kati është përdorur realisht nga vetë Ina Rama.
Kjo diferencë mes pronësisë ligjore dhe përdorimit faktik ngre dyshime të forta për fshehje pasurie, deklarim të pasaktë dhe përdorim të palëve të treta për të shmangur transparencën e plotë, veçanërisht kur bëhet fjalë për një funksionare të nivelit më të lartë të drejtësisë.
Situata bëhet edhe më e rëndë kur zbulohet se Artur Luku është ortak në hotelin “La Brisa” në Dhërmi me Agron Malajn, ish-gardistin e përfshirë në ngjarjet e 21 Janarit. Pikërisht ndaj Malajt, gjatë drejtimit të Prokurorisë së Përgjithshme nga Ina Rama, është marrë vendimi për pushimin e çështjes penale.
Kjo lidhje e drejtpërdrejtë mes një pasurie të përdorur nga Ina Rama, një shoku të saj të afërt me interesa biznesi dhe një personi ndaj të cilit ajo ka marrë vendime penale, krijon një rrjet dyshimesh për ndikim të paligjshëm, konflikt interesi dhe mungesë totale integriteti institucional.
Në çdo shtet funksional të së drejtës, një situatë e tillë do të kërkonte hetim të menjëhershëm penal, verifikim të pasurisë, si dhe sekuestrim të pronës si provë e mundshme e një vepre penale, sidomos kur lidhet drejtpërdrejt me një nga ngjarjet më të rënda të pas viteve ’90, siç është 21 Janari.
Por në Shqipëri, SPAK hesht.
Pavarësisht këtyre dyshimeve të rënda, Prokuroria e Posaçme nuk ka nisur asnjë hetim publik, nuk ka marrë asnjë masë verifikimi dhe nuk ka sekuestruar pasurinë e përdorur nga Ina Rama, e cila potencialisht mund të shërbejë si provë për konflikt interesi dhe korrupsion në vendimmarrje.
Mosveprimi i SPAK ngre pyetje të forta mbi standardet e dyfishta në hetimin e zyrtarëve të drejtësisë, mbi gatishmërinë reale për të prekur figura të fuqishme të së kaluarës dhe mbi seriozitetin e luftës kundër korrupsionit në nivelet e larta.
Nëse SPAK ka guximin dhe vullnetin për të hetuar 21 Janarin deri në fund, pyetja është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë:pse nuk sekuestrohet pasuria e Ina Ramës si provë e mundshme krimi dhe pse nuk hetohet roli i saj në këtë rrjet lidhjesh që përfshin pronë, interesa ekonomike dhe vendime penale?Heshtja e institucioneve në këtë rast nuk shpjegohet më si neglizhencë, por rrezikon të lexohet si mbrojtje.