Romelu Lukaku e ka nisur nga stoli ndeshjen e djeshme, edhe pse ka bërë maksimumin për të bindur Inzagin për një fanellë titullari në këtë fundsezoni. Gjithsesi, trajneri duket se e ka zgjedhur belgun të jetë sulmuesi i kampionatit, duke i besuar Xhekos krah Lautaros në kompeticionet e tjera, si në Champions League edhe në Kupën e Italisë, me “Big Rom”-in që shpreson se me atë që ka treguar të ketë të paktën një vend në finalen e Stambollit.
Rikthimi i 29-vjeçarit në formën më të mirë po tundon si Çelsin dhe Interin për të vazhduar me të, por në një intervistë për “Prime Video”, Romelu e ka lënë të hapur diskutimin mbi të ardhmen e tij, duke treguar edhe më shumë nga përjetimet e transferimit në Londër dhe duke zbuluar më shumë për familjen.
TRANSFERIMI DHE E ARDHMJA – “Unë mund të them se kam kaluar një periudhë të mirë te Çelsi sezonin e kaluar. Por e dija që nëse nuk shkonte mirë atje, unë kisha ende Interin në dispozicion. Kur nënshkrova sërish me zikaltrit e dija se vendi im është këtu. Kam të njëjtën ndjesi edhe për Anderlehtin. E marr seriozisht Interin si klub dhe dua të bëj më të mirën këtu. Njerëzit këtu e shohin këtë gjë, të inkurajojnë dhe kjo është gjëja më e mirë që ekziston. Të vazhdoj të qëndroj në Milano? Do ta shohim. Unë jetoj ditë pas dite dhe nuk ndiej asnjë stres apo presion. Ka një vendim për të marrë dhe duhet të merret, kjo është e gjitha”.
FAMILJA – “Ka shumë lojtarë të cilëve u pëlqen ta mbajnë jetën private të ndarë nga ajo sportive dhe unë jam një ndër ta, edhe pse më pëlqen që ndonjëherë ta tregoj kush jam. Kam dy djem, Romeon 4 vjeç dhe Xhordanin 1 vjeç. Më bëjnë t’i shikoj gjërat në një perspektivë tjetër. Futbolli është pasioni im i madh, por tani gjërat kanë ndryshuar. Sot kur kthehem në shtëpi pas një humbjeje nuk i përjetoj aq keq sa më parë. Kam një lidhje të veçantë me Romeon, që më bën shumë pyetje.
Ndonjëherë kur kthehem në shtëpi, fillon të më flasë për Ashraf Hakimin, që e di se e kam pasur në skuadër. Më kërkon ta telefonoj tani që luan në Paris sepse do të flasë me Kilië Mbapenë. Janë momente që më argëtojnë shumë. E shoh veten te Romeo, është i mrekullueshëm, ndërkohë që Xhordani ka ende shumë për të zbuluar.
Romeo luan në ekipin e të rinjve të Interit dhe kur shënon ai feston si Kristiano Ronaldo. Më duket diçka fantastike. Kur isha i vogël, i festoja golat e mi si Ronaldo braziliani, duke tundur gishtin. Dhe kur sot shoh se si djali im feston golat e Kristianos, mendoj se është diçka e madhe”.