E donte Shqipëria, fituesi i “Tripletës” me Interin pranë stolit të klubit të njohur grek

Esteban Kambiaso ishte një emër shumë i nxehtë për stolin e Shqipërisë, aq sa ish-mesfushori i Interit dhe i Argjentinës zbarkoi në Tiranë, u takua me krerët e federatës, por edhe me drejtues të lartë të qeverisë, ndonëse në fund mbeti thjesht një emër në letër.Gjithsesi, karriera e tij si trajner mund të nisë në ditët e ardhshme dhe në një klub shumë të madh për nga historia. Në gjurmët e Kambiasos është vënë së fundmi Olimpiakosi, klub në të cilin futbollisti luajti edhe në vitet e fundit të karrierës së tij (2015- 2017).

Edhe pse pa asnjë eksperiencë, helenët besojnë shumë se ajo që ai ka fituar në të gjitha vitet si futbollist në fushën e lojës është më se e mjaftueshme për të marrë në dorë timonin e bardhekuqve.

Bisedimet raportohet se janë në një fazë shumë të avancuar, por ndoshta Kambiaso ka kërkuar edhe një javë kohe, duke qenë se emri i tij është afruar së fundmi edhe me Interin, në rast të një shkarkimi të parakohshëm të Simone Inzagit.