Protesta e 3500 shqiptarëve të shtunën përpara parlamentit të Anglisë ka xhindosur politikanët dhe mediat me qasje kundra emigrantëve.
Mail on Sunday, gazeta më e madhe e së dielës në faqen e parë, shpalos titullin: “Në ditën e përkujtimit të dëshmorëve shqiptarët fyejnë Churchillin”.
Kjo gazetë duke iu referuar një videoje, nga ku poshtë statujës së ish kryeministrit Churchill është vendosur flamuri shqiptar, e komenton këtë si një akt që për veteranët e luftës shihet me pakënaqësi.
Gazetari Sam Merriman, shkruan se protestuesit shqiptarë në mënyrë të paskrupullt e të paturp të rrethuan statujën e Sir Churchill në qendër të Londrës me flamurin e tyre kombëtar.
“Protestuesit të mbledhur në kryeqytetin anglez kërkuan me forcë respektimin nga qeveria të drejtave të tyre pas deklarimit të ministres Suela Braverman se “Britania po pushtohet nga emigrantët e jashtëligjshëm” me referencë të drejtpërdrejtë shqiptarët” thotë Mail On Sunday.
Për këtë gazetë ka shkruar një editorial Nigel Farage, udhëheqësi Brexit ku thotë se “asnjëherë nuk e mendonte të shikonte një nivel të tillë mos-respekti”.
Farage një zë konstant anti-shqiptarë në median britanike posaçërisht në televizionin GB-News shkruan se “ata shqiptarë që janë këtu legalisht ose ilegalë, duke protestuar në Westminster treguan se nuk e kuptojnë kulturën britanike dhe sakrificat në të shkuarën në këtë vend ku ata banojnë”.
E ndërsa Nigel Farage shpalos shqetësimin për se shqiptarët vendosën flamurin e tyre tek monumenti Churchil, me dashje harron të përmend bashkëkombësit e tij të cilët filmohen vazhdimisht duke urinuar poshtë kësaj statuje apo bojatisur atë me graffiti.
Mail on Sunday pjesë të shkrimit ka edhe protestën e të shtunës nga opozita në Tiranë ilustruar me foton e disa të rinjve që ngritën një gomone me flamurin shqiptar dhe atë anglez.