Në ndeshjen e parë zyrtare si kapiten i Interit, Lautaro Martinez konfirmoi edhe një herë arsyen pse është ai lideri i kësaj skuadre. Dopieta e tij jo vetëm që vulosi fitoren e zikaltërve, por shërbeu për të nisur me këmbën e mbarë kampionatin e mbi të gjitha për të lëshuar sinjalin e duhur ndaj rivalëve.
Ndryshe nga një sezon më parë, Interi do të jetë me gazin në maksimum që në nisje dhe do të udhëhiqet nga një Lautaro më i uritur se asnjëherë. Me dygolëshin ndaj Monzës, argjentinasi e dërgoi në 101 (81 gola dhe 20 asiste), numrin e golave të përfshirë në Serinë A, ndërkohë që nga debutimi i tij në kampionat (2018/19), vetëm Çiro Imobile (138) dhe Domeniko Berardi (108) kanë bërë më mirë. I vetëdijshëm për përgjegjësinë, 25-vjeçari premtoi pas ndeshjes se do të bëjë çmos për të dërguar Interin te trofetë dhe analizoi edhe raportin e tij me shokët e rinj të repartit.
NDESHJA – “Ishte një verë e vështirë sepse shkuam në Japoni, ishte shumë nxehtë, por ne u stërvitëm mirë, gjithmonë në maksimum. Jam i kënaqur me përgatitjet dhe miqësoret. Ne duhej të jepnim një sinjal dhe filluam me këmbën e djathtë, jam i lumtur që e nisëm mirë. Monza nuk ishte rival i lehtë, kishin cilësi dhe ne e dinim. Bëmë një lojë të shkëlqyer dhe jam i kënaqur, gjithë skuadra bëri atë që donte trajneri. I përgëzoj të gjithë, edhe ata që erdhën nga stoli. Arritëm të jepnim në fushë atë për të cilën ishim përgatitur”.
SHOKËT E REPARTIT – Ne kemi marrë lojtarë të rëndësishëm, të rinj, që duan të rriten. Ishin të gjithë gati, edhe ata që hynë më vonë. U ndjeva mirë në fushë edhe me Turamin edhe me Arnautoviçin. E falënderova Markon për asistin, erdhi të na ndihmojë, u vu në dispozicion menjëherë dhe ishte e rëndësishme të fillonim kështu.
LUKAKU – “Lukaku ishte i Çelsit, ajo që duhet të bënte Interi ishte të negocionte me klubin, më pas zgjedhja ishte e tij”.
SHIRITI – “Jam krenar që jam kapiten, por asgjë nuk ka ndryshuar, përpiqem të transmetoj atë që kam transmetuar gjithmonë. Shiriti është i rëndësishëm, ndihem më i përgjegjshëm, por edhe më parë kam qenë. Gjithmonë kam dhënë gjithçka për këtë ekip. Sigurisht që tani ka më shumë përgjegjësi, duhet të rritem shumë dhe gjithmonë të përpiqem t’u jap një dorë të gjithëve”.
OBJEKTIVAT– “Objektivat e mi janë ata të zakonshmit dhe të përhershmit. Të fitoj tituj dhe trofe, të dërgoj Interin sa më lart të jetë e mundur dhe të bëj të lumtur dhe krenarë tifozët dhe familjen”.