Zinedin Zidan dhe Karim Benzema, të dy së bashku kanë krijuar një marrëdhënie të privilegjuar për një dekadë. Së bashku ata fituan tri herë Ligën e Kampionëve dhe dy tituj në La Liga. Dy “Topat e Artë” të fundit francezë kanë ndërtuar një lidhje vëllazërore përtej fushave të blerta. Ish-lojtari dhe ish-trajneri i Realit ka lavdëruar nxënësin e tij gjatë një interviste për gazetën “L’Equipe”.
“Unë jam pothuajse vëllai i madh i Karim Benzemasë. Kështu na pëlqen ta quajmë njëri-tjetrin: vëllai i vogël dhe vëllai i madh. Kemi pak a shumë të njëjtën prejardhje: ai është nga Lioni, unë jam nga Marseja… Të dy jemi rritur në një lagje dhe jo çdo gjë ishte e lehtë në fillesat tona. Ne ishim të rinj, të thjeshtë, vinim nga periferia dhe me të njëjtën ëndërr për t’u bërë futbollistë profesionistë. Në fund mes punës dhe sakrificës ia arritëm. Kemi shumë gjëra të përbashkëta, nga origjina: familjet tona vijnë nga qytetet e afërta në Algjeri”, tha Zidan.
Zizu ka folur dhe për momentin kur u bë trajner i Benzemasë.
“Kur u bëra trajneri i tij, ishte fantastike të ndaja momente të shkëlqyera në fushë me të. Këshillat nuk vlenin për të, sepse ishte maturuar dhe i bënte gjërat vetë”.
Zidan ka folur dhe për historinë e të dyve në Madrid dhe suksesin e Benzemasë.
“Historitë tona në Madrid janë të ndryshme. Ai erdhi shumë i ri. Edhe kur kishte probleme, kishte siguri në vetvete. Gjithnjë më thoshte se do të fitonte në Madrid dhe ia doli. Thonë se ai ndryshoi pas ikjes së Kristiano Ronaldos, por ai ka qenë i shkëlqyer edhe kur Ronaldo ishte në skuadër. Trashëgimtar më të mirë nuk mund të gjeja”, ka thënë Zidan.