E vendosi një episod”, Konte flet për kthimin në “San Siro”: Duel i barabartë, edhe talljet ishin normale

Antonio Konte shpresonte që të kthehej në “San Siro” me një rezultat të rëndësishëm. Por trajneri italian ka parë Totenhemin e tij të mundej nga Milani në sfidën e parë në fazën me eliminim direkt në Ligën e Kampioneve. Një sfidë ku ai u prit në stadium me vërshëllima apo edhe me tallje nga tifozët, të cilët kujtonin etapat e tij te Juventusi apo ato te Interi.“Ishte një ndeshje intensive, e luajtur si e barabartë dhe me ekuilibër të madh. Bëmë gabimin që pësuam gol pas 5 minutash. Në atë rast mund të bënim shumë, shumë më mirë. Që nga ai moment, u treguan më të vëmendshëm në pritje në prapavijë dhe kishim vështirësi të gjenim hapësira. Por ishte një ndeshje e ekuilibruar, e vendosur nga një episod. Por ky ishte vetëm raundi i parë, ata kishin lojtarë të dëmtuar dhe kështu edhe ne. Tanët do të mbeten të dëmtuar… Respekt Milanit, tani do ta nisin të avantazhuar.

Pritja në “San Siro” me ofendime? Është pjesë e ndeshjes, është pjesë e tifozerisë. Duhet të jesh i qetë dhe ta pranosh, në rregull edhe kështu, nuk kam qenë kurrë lojtar apo trajner i Milanit. Kam luajtur dhe kam drejtuar te Juventusi, kam drejtuar Interin, është normale që mund të ketë rivalitet, ashtu si edhe talljet që mbeten në limitet e duhura. Përkundrazi, i bëj komplimente Milanit për atë që ka bërë në sezonin e kaluar”, theksoi Konte për “Mediaset” në fund të ndeshjes.