EKSKLUZIVE/ “Do të dëshiroja të shitesha kur isha pjesë e Partizanit”, Asani zbulon Azinë: Ja pse zgjodha Korenë e Jugut

Jasir Asani, pas vetëm një sezoni e gjysmë në Hun gari te Kisvarda, u shit në Korenë e Jugut te klubi i Guangjusë për rreth 700 mijë euro. Në një prononcim ekskluziv ish-sulmuesi i Partizanit tregon rreth prapaskenave të operacionit dhe arsyes përse zgjodhi të transferohej në Azinë e largët.Shqiptari nga Shkupi tregon edhe përse Partizani nuk e shiti për të përfituar nga kartoni i tij, teksa shton se të kuqtë kanë një skuadër shumë të mirë, por titulli fitohet vetëm duke vlerësuar çdo kundërshtar.

Jasir, përse zgjodhët të transferoheshit në Korenë e Jugut?

A kishit oferta të tjera? Po, kisha edhe disa oferta të tjera, por vendosa të shkoj në Korenë e Jugut, sepse më duket një sfidë e veçantë. Do të shkoj në një ekip me ambicie dhe një skuadër të mirë. Dua ta provoj futbollin aziatik dhe me shumë dëshirë e pranova propozimin. Po pres me padurim të shkoj atje dhe të nis stërvitjen e përgatitjen për sezonin e ri. Për sa u përket skuadrave që më donin, nuk dua të përmend emra, por dua të them vetëm se zgjodha Korenë, sepse Guangju plotësonte të gjitha kriteret që unë kërkoja.

Sa i vlerësuar ndiheni për faktin që u shitët brenda një kohe të shkurtër?

Kam bërë një sezon shumë të mirë në sezonin e kaluar, duke kontribuar me asiste dhe gola e duke e ndihmuar ekipin me sa kam mundur. Pas paraqitjeve pozitive mora disa oferta dhe bashkë me familjen dhe menaxherin menduam se ky ishte opsioni më i mirë.

Nëse në Hungari ju shitën kaq shpejt, përse nuk ndodhi diçka e tillë te Partizani në tri vite në Tiranë?

Të të them të drejtën nuk e di. Ka pasur shumë oferta për mua kur isha te Partizani, por klubet e interesuara nuk kanë arritur të bien dakord me kërkesat e të kuqve. Do të doja të shitesha në kohën kur isha pjesë e Partizanit, por kështu është jeta. Gjithsesi, në të ardhmen Partizani duhet të fillojë të shesë lojtarë, sepse ka një organikë mjaft të talentuar.