Myrto Uzuni vazhdon të tundë rrjetat e kundërshtarëve dhe kjo e fundit ishte ndaj një rivali direkt. Njëzet e një gola deri tani për sulmuesin e Kombëtares, i cili po kalon sezonin më të mirë në karrierën e tij.
Në një intervistë ekskluzive 27-vjeçari tregon si është të jesh një idhull te Granada, ofertat që kanë ardhur në klub, si dhe ushqimin e preferuar që ai ka gjatë qëndrimit më shumë se një vit në Spanjë.
Deri tani 21 gola dhe pranë thyerjes së një rekordi 81-vjeçar, ku ju duhen edhe dy gola për të kaluar një nga emrat në listë, a mendoni se mund t’ia dilni?
Ndihem mirë që deri tani kam arritur shifrën e 21 golave. Për momentin jam vetëm i fokusuar që të shënoj sa më shumë dhe pastaj vijnë rekordet. Gjithashtu i fokusuar jam që të ngjitem me Granadën në La Liga.
Sa ndryshe do të jetë në dy ndeshjet e radhës të Kombëtares në qershor?
Sa u përket ndeshjeve të Kombëtares, në qershor kemi vetëm një zgjidhje, të fitojmë të dyja takimet, si me Moldavinë, ashtu edhe me Ishujt Faroe, që të futemi bindshëm në garë për t’u kualifikuar në Europian.