EKSKLUZIVE/ “Partizani e ka Europën në xhep”, Nexhipi: Problemi i vetëm i “demave” është…

Nderim Nexhipi, aktualisht drejtor sportiv i Ballkanit dhe në të shkuarën ish-kapiten i Partizanit, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, shprehet se “demat” janë thuajse të kualifikuar në Europë, teksa ka rezerva për huazimet e shumta në skuadrën e kuqe. Nexhipi analizon edhe suksesin e titullit kampion me Ballkanin dhe merkaton, ku përmend edhe emra si Gripshi e Jashanica

A do të arrijë Partizani të kualifikohet në Europë dhe si do të cilësohej ky sezon për ta pas këtij kualifikimi?

Unë e ndjek vazhdimisht Kategorinë Superiore, isha në ndeshjen mes Kukësit dhe Partizanit. Ishte moment kyç për Partizanin, sepse me atë fitore besoj se 90% janë në Europë. Tani kanë edhe dy ndeshje ndaj Kastriotit dhe Laçit, të cilat besoj se do t’i kalojnë në mënyrën e duhur dhe do të arrijnë objektivin e vendosur.

Do të ishte zgjedhja e duhur të vazhdonte Mehmeti?

Nuk dua të komentoj për politikat e klubit. Kryesia dhe presidenti Demi e dinë shumë mirë punën e trajnerit Mehmeti, që patjetër ka bërë mirë prej ardhjes së tij në krye të skuadrës. Gjithsesi, presidenti Demi dhe drejtori Rama e dinë shumë më mirë se me cilin trajner duhet të vazhdojnë në sezonin e ardhshëm.

Mos duhej të bënte Partizani më pak huazime? Emra si Mala, Albion Marku apo Kallaku largohen në fund të qershorit.

Puna e huazimeve është gjithmonë problematike. Nuk e di nëse këta lojtarë kanë opsionin për t’u blerë nga Partizani, por edhe nëse ekziston klauzola, është e vështirë të vihet në praktikë. Mala, Kallaku dhe Albion Marku janë lojtarë shumë të mirë dhe emra shumë cilësorë, të cilët i duhen Partizanit. Është politika e tyre kjo mënyrë operimi, ata merren me këtë çështje dhe e dinë më mirë se ne, që i shohim nga jashtë.