Në një shtet normal, një njeri që përmendet në disa episode të rënda kriminale nga kultivimi masiv i kanabisit, bashkëpunimi me trafikantë dhe korrupsioni brenda strukturave të policisë do të përfundonte në gjyq, në izolim dhe jashtë çdo funksioni publik.Por ky nuk është rasti i Vilson Dines.
Ky është rasti i Shqipërisë vendi ku krimi nuk ndëshkohet, por katapultohet. Në zyrë. Në diplomaci. Në detyra strategjike. Dhe nëpërmjet pasaportës diplomatike edhe jashtë vendit.
I përfolur prej vitesh si një ndër figurat më të errëta në sistemin e sigurisë, Vilson Dine, ish-drejtues i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Vlorë, është emëruar së fundmi oficer kontakti i Policisë së Shtetit në Greqi.
Një emërim që, për ironi të fatit apo jo i jep një rol të rëndësishëm një njeriu që është përmendur në raportime të shumta si i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike, një aktivitet që e ka pikërisht Greqinë si një nga korridoret kryesore të tranzitit.
Në vend që të përgjigjej për aktivitetet e tij të dyshimta, Vilson Dine i jep dorën shtetit dhe niset drejt Athinës, si përfaqësues zyrtar për bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimit të organizuar. Ironi? Jo më. Kjo është fyerje me protokoll shtetëror.
Dine nuk është një emër i panjohur për agjencitë ligjzbatuese – përkundrazi, është një emër që ka qarkulluar prej kohësh në dosje të brendshme, përgjime, hetime të nisura e më pas arkivuar në mënyrë “magjike”.Sipas burimeve të brendshme, gjatë një periudhe në Gjirokastër, Dine dyshohet se ka qenë organizatori i mbjelljes dhe trafikimit të mbi 6 hektarëve kanabis, të destinuar për tregun italian. Ai nuk ishte thjesht një polic që “s’e kishte vënë re”, por një nga ata që garantonin sigurinë e parcelave dhe qetësinë e rrjetit.
Karriera e tij nuk përfundon këtu. Me një të kaluar të tillë, në Shqipëri nuk të nxjerrin jashtë loje të promovojnë. Dine do të ngjitej më pas në një nga postet më të ndjeshme, drejtues i AMP-së në Vlorë, pra në institucionin që teorikisht kontrollon zyrtarët e korruptuar të policisë.Rezultati? Një AMP që shndërrohet në ombrellë mbrojtëse për të njëjtit zyrtarë që duhej të hetoheshin. Dine, sipas burimeve, jo vetëm që nuk frenoi korrupsionin, por ndihmoi në përhapjen e tij, duke ndarë informacion me grupe kriminale, duke shmangur hetime të caktuara dhe duke garantuar mbrojtje për “të përzgjedhurit”.Burime nga brenda AMP-së e përshkruajnë si një “operator të heshtur të sistemit”, që në vend të ndëshkimit të shkelësve të ligjit, i vendoste ata në listën e bashkëpunëtorëve të preferuar.
Në një vend ku shpresa për drejtësi është zëvendësuar nga pëshpëritjet për “mbrojtje politike”, rrugët e karrierës nuk kalojnë më nga ndershmëria apo profesionalizmi por nga lidhjet me krimin dhe mbulimi i ndërsjellë.Dhe rruga e Vilson Dines s’ka kaluar asnjëherë nga SPAK-u, por tani kalon përmes Ministrisë së Brendshme, MPJ-së dhe përfundon me një post në Athinë. Si përfaqësues i shtetit shqiptar në një vend ku ndërtohen dosjet më të mëdha kundër grupeve shqiptare të trafikut të drogës.Çfarë ironie e dhimbshme për Shqipërinë zyrtare: dërgon në Greqi pikërisht atë që duhej të ishte nën hetim për bashkëpunim me trafikantët e Greqisë.
Ky nuk është thjesht një rast i izoluar. Ky është simboli i shndërrimit të shtetit në sistem klientelist, ku të dyshuarit shpërblehen dhe të ndershmit injorohen. Dine nuk është thjesht një figurë problematike ai është pasqyra e një modeli të suksesshëm, ku përvojat kriminale vlerësohen si “eksperiencë në terren”, dhe krimi institucionalizohet.
Çfarë mesazhi u jep ky rast oficerëve të rinj të policisë që përballen me presion, korrupsion dhe padrejtësi? Çfarë motivimi ka një oficer ndershëm kur sheh se “ekspertiza në kanabis” të çon në bashkëpunim ndërkombëtar, ndërsa integriteti të lë në vendnumëro?
Dhe pastaj pyesim pse droga nuk ndalet, drejtësia nuk funksionon dhe besimi në shtet është zhdukur. Sepse kur trafikantët maskohen si diplomatë, kur të dyshuarit bëhen përfaqësues të shtetit, dhe kur bashkëpunimi ndërkombëtar ndërtohet mbi fytyra që i përkasin skenave kriminale, nuk kemi më shtet funksional, por një sistem të kapur me emër dhe mbiemër.Dhe në këtë realitet grotesk, Vilson Dine është jo vetëm simboli i shpërblimit për krimin, por dhe përfaqësuesi më i pastër i shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Një turp që ecën me pasaportë diplomatike dhe buzëqesh përpara kamerave ndërkombëtare.