Reali i Madridit dhe Barcelona do të lua jnë aktin e tretë mes tyre në këtë sezon, ku i presin edhe dy sfida të tjera. Sonte në mbrëmje në “Bernabeu” do të luhet takimi i vajtjes në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit (21:00).Kjo do të jetë hera e 21- të që tifozët në Spanjë do të kenë mundësi të shijojnë një “Klasike” në kupë. Një çift që ka shkruar historinë edhe në këtë kompeticion.
Një duel gati i barabartë, me nga 10 suksese për secilën palë. Kupa e Mbretit ka shënuar momente kulmore, gati të pabesueshme, përgjatë një historie që daton nga viti 1902, në edicionin e saj të parë, i cili asokohe quhej “Kupa e Kurorëzimit”.
Një moment tjetër historik që nuk do të harrohet kurrë është suksesi 11-1 i Realit të Madridit në vitin 1943. Madridi priste Barcelonë në “Chamartin” në një ambient armiqësor me katalanasit që po mendonin tërheqjen nga loja në pushimin mes dy pjesëve, teksa po mundeshin 0-8.
FINALJA E SHISHEVE – Një nga momentet kulmore të përballjes së këtyre dy klubeve në Kupën e Mbretit është finalja e 11 qershorit 1968 në Madrid. Kompeticioni i sotëm njihej me emrin “Kupa e Gjeneralit”.
Barcelona fitonte 0-1, duke ngritur trofeun, por tifozëria madrilene shpërtheu keq ndaj gjyqtarëve e lojtarëve katalanas.
Një shi shishesh qelqi ra mbi lojtarët e gjyqtarët në atë që njihet si “finalja e shisheve” dhe që më pas detyroi qeverinë spanjolle të ndryshonte ligjin, duke mos lejuar më futjen e shisheve të qelqit nëpër stadiume.
Në vitin 1970 do të luhej një tjetër “Klasike”, e cila ka mbetur në histori. Këtë herë në “Camp Nou” për një penallti të paqenë në favor të Realit, që çoi në pezullimin e takimit për disa minuta dhe gjyqtarin Guruseta, i cili u dënua me 6 muaj.
SHEKULLI XXI – Nuk do të harrohen aspak duelet mes Barcelonës së Pep Guardiolës dhe Realit të Murinjos.
Më e famshme mbetet finalja e vitit 2014 e luajtur në Valencia me galopimin e paharrueshëm të Garet Bejl, si një moment që ka mbetur në historinë e këtyre përballjeve. Më shumë se 120 vjet “Klasike” në Kupë dhe historia vazhdon.