Liderët e Bashkimit Europian kanë rënë dakord për një plan që të bllokojnë më shumë se dy të tretat e importeve të naftës ruse. Embargoja do të përfshijë vetëm naftën që vjen nga deti, jo atë përmes tubacioneve, pas kundërshtive nga Hungaria
Nga Steve Rosenberg, BBC
Marrëveshje e BE-së për naftën është një marrëveshje kompromisi- por është gjithashtu një marrëveshje e rëndësishme.
Moska është shumë e varur nga eksportet e saj të energjisë dhe BE thotë se kjo marrëveshje do të shkurtojë më shumë se 90 përqind të importeve të naftës ruse deri në fund të vitit.
Por duke marrë parasysh të gjithë retorikën rrëqethëse dhe antiperëndimore që kemi dëgjuar nga Vladimir Putini javët e fundit, dyshoj se lideri rus ka më shumë gjasa që t’i thotë Europës: “Bëhuni gati për më shumë dhimbje ekonomike për shkak të kësaj embargoje. Le të shohim se sa do të zgjasë mbështetja juaj për Ukrainën”.
Kremlini është i vetëdijshëm për dallimet e opinioneve brenda BE-së mbi atë se çfarë duhet bërë për Rusinë- dhe mund të jeni të sigurt se Putini do të përpiqet që t’i shfrytëzojë ato.
Rusia do të kërkojë tregje të reja, por për sa i përket naftës, kjo nuk është një zgjidhje e shpejtë. Infrastruktura nuk është gati për të riorientuar eksportet e naftës nga Europa drejt Azisë për shembull. Dhe nëse shitet në Azi- do të duhet ta bëjë këtë me një çmim të zbritur.
Ekziston edhe çështja e gazit rus- një embargo ndaj tij mund të diskutohet më pas.