Nënë e bir janë arrestuar ditën e sotme nga policia në Tiranë, pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Mësohet se në pranga kanë rënë Deshira Goseni, 63 vjeçe, dhe Eduard Goseni, 44 vjeç, të cilët akuzohen se janë pjesë e një organizate kriminale, që vepron në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Sipas policisë, akuzat e tyre janë ngritur nga autoritetet italiane dhe Gjykata e Veronas iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.
Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet nga Seksioni i Kërkimit i DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Afternoon”.
Të kërkuar ndërkombëtarisht për organizatë kriminale dhe trafikim narkotikësh, kapen në Tiranë dhe arrestohen me qëllim ekstradimin drejt Italisë, 2 shtetas (nënë e bir).
Shërbimet e Seksionit të Kërkimit të DVP Tiranë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën informative mbi vendndodhjen e dy shtetasve në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Afternoon”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në Rrugën e Dibrës dhe kanë arrestuar me qëllim ekstradimin, shtetasit:
-Deshira Goseni, 63 vjeçe, dhe Eduard Goseni, 44 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Veronas, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali.