EMRAT/ Policia ndalon makinën për kontroll rutinë, zbulon kokainë në doza, arrestohet 42-vjeçari dhe një vajzë

Arrestohen dy persona në Shkodër, pasi janë kapur me kokainë në makinë. Policia bën me dije se në pranga kanë rënë shtetasit Ermal Dhampiraj, 42 vjeç dhe Samanta Dedushi, 22 vjeçe, banuese në Shkodër.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në zbatim të planit të masave për kapjen dhe ndalimin e shtetasve që ushtrojnë aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke u bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë vijuar kontrollet në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër. Si rezultat i kontrolleve u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Ermal Dhampiraj, 42 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, Shkodër dhe Samanta Dedushi, 22 vjeçe, banuese në Shkodër.

Në lagjen “10 Korriku”, Shkodër, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin me drejtues shtetasin Ermal Dhampiraj dhe pasagjere shtetasen Samanta Dedushi. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në automjet është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në doza, gati për shitje, si dhe një përforcues grushti (dorezë metalike), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

 

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas shpërndanin droga të forta në doza, në qytetin e Shkodrës. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.