Enkel Peza, mer 200 mijë euro dhei mbyll dosjen Helidon Gjikokës dhe 7 zyrtarëve që grabitën kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi

Mafia e pronave në Vlorë dhe përfaqësues të saj në kërkim komandojnë drejtësinë në këtë qytet, duke diktuar mbylljen e dosjeve të zeza, të kopsitura nga prokurorë të guximshëm.

Gjyqtarë me dhe pa Veting janë njësuar me mafien e pronave në Vlorë, një nga kartelet më kriminale në Ballkan, që po tjetërson viti pas viti pronat publike dhe private, përmes falsifikimeve, mashtrimeve, shantazhit, vrasjeve dhe blerjes së gjyqtarëve.

Gjyqtari i Vlorës Enkel Peza, me një vendim të paprecedentë dhe komprometues, i ka mbyllur dosjen dhe ka pushuar akuzën për Helidon Gjikokës dhe grupin e tij për grabitjen e kompleksit ‘Ambel’ në Dhërmi, duke rrëzuar një nga dosjet me serioze që kishte zbërthyer një segment të mafies së pronave dhe ndarë përgjegjësisë penale për secilin personazh të implikuar.

Dyshohet se për të rrëzuar dosjen e prokurorisë në shkallën e parë janë paguar deri në 200 mijë euro, pasi sipas këtij vendimi skandaloz, kushdo mund të të rrëmbejë pronën dhe nuk i ndodh asgjë. Megjithatë, vendimi i Enkel Pezës do të shkojë në Apel, ndërsa në lëvizje pritet të vihet SPAK-u për arsyet që kanë çuar gjyqtarin Peza për të mbyllur sytë përballë falsifikimeve të dokumentuara. Me interes pritet se si e ka ‘arsyetuar’ gjyqtari mbylljen e dosjes dhe si e ka justifikuar falsifikimin e dokumenteve.

Sipas dosjes penale, koka e grupit Helidon Gjikoka, në kërkim policor, në bashkëpunim me avokatin Ariton Kasaj, inxhinierin Adiseldo Rrapaj, drejtorin e legalizimeve në Vlorë Ardian Musta, punonjësen pranë ASHK Qendrore Enida Bukuroshi, punonjësen tjetër pranë ASHK Jonida Hallvaxhiu, punonjësit pranë legalizimeve Vlorë Denis Metaj, Erdet Mandi dhe Arbër Jaupaj, i kanë grabitur Ilir Kokës kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi.

Helidon Gjikoka dhe Ariton Kasaj kanë përfituar nga mirëbesimi i Ilir Kokës, i cili jetonte jashtë vendit. Në një kohë kur Ilir Koka ishte jashtë vendit dhe i kishte dhënë kompleksin me qira Helidon Gjikokës, ky i fundit, në bashkëpunim me avokatin Ariton Kasaj dhe grupin e zyrtarëve që ishin marrë të pandehur nga prokuroria, kanë kryer një seri verimesh kriminale, duke kaluar kompleksin në emrin e Helidon Gjikokës, përmes falsifikimeve.

Sipas dosjes voluminoze, e cila duket se do t’i japë fund karrierës së gjyqtarit Enkel Peza, Helidon Gjikoka nga qiramarrës, arriti të bëhej pronar i kompleksit me 12 shtëpi private mbi sipërfaqen 1430 m2 në Dhërmi, duke i marrë pasurinë përmes mashtrimit Ilir Kokës. Nga ana tjetër, Ilir Koka, nga pronar, e gjeti veten të shpronësuar dhe në dyert e drejtësisë, për të kërkuar pronën e tij që kishte kaluar në emrin e Gjikokës. Ndërsa pronari Ilir Koka ishte në Greqi, prona e tij, që nga data 28 janar 2019 ka kaluar në emrin e Helidon Gjikokës.

Në vend që prona t’i kthehej Ilir Kokës, si dhe të ndëshkoheshin Helidon Gjikoka dhe grupi i tij, siç edhe ndodh në çdo vend normal të botës, gjyqtari Enkel Peza ka rrëzuar akuzën e prokurorisë, duke legalizuar grabitjen e kompleksit ‘Ambel’ në Dhërmi. Në vijim detaje rreth dosjes penale me 600 faqe, arsyeve që kanë çuar gjyqtarin Enkel Peza në këtë vendim dhe implikimit të personazheve të tjerë që qëndrojnë në hije. / Pamfleti