Enrike rrëfen bisedën me homologun gjerman: Flikut i thashë, tani shihemi në finale

Trajneri i Spanjës, Luis Enrike, ka gjetur një profesion të ri, duke u marrë me tifozët në kanalin e tij në “Twich”, ku i përgjigjet çdo pyetjeje të mundshme në lidhje me “Furinë e Kuqe” e jo vetëm. Këtë herë në qendër të vëmendjes ka qenë analiza e ndeshjes ndërmjet Spanjës dhe Gjermanisë e luajtur të dielën dhe e mbyllur me shifrat 1-1.Mes të tjerave, Luis Enrike nuk i ka kursyer komplimentet për kolegun e tij te Gjermania, Hansi Flik, duke rrëfyer bisedën me të pas takimit.

“Pak me shaka e pak me seriozitet i kam thënë Flikut se tani do të shihemi në finalen e Botërorit”, ka thënë Luis Enrike.

Nëse të dyja skuadrat kalojnë në 1/8 e finaleve, duke qenë në të njëjtin grup e vetmja mundësi që Spanja dhe Gjermania të gjenden përballë tyre është në finalen e 18 dhjetorit. “Luço” siç thirret trajneri i Spanjës ka kujtuar gjithashtu dhe trajektoren e suksesshme të Hansi Flikut.

“Karriera e tij ka pasur një trajektore të shkëlqyer. Ka fituar gjithçka me Bajernin. Është një trajner që më pëlqen shumë, qoftë për filozofinë e tij të lojës, qoftë dhe për faktin se është një person shumë i respektueshëm”, ka shtuar Luis Enrike.

Trajneri i Spanjës, gjithashtu, ka nënvizuar se përballja mes Spanjës dhe Gjermanisë ka qenë një nga ndeshjet më të bukura të Botërorit.

“Nuk ka mëdyshje se ishte një ndeshje me pritshmëri të madhe dhe nuk ka zhgënjyer. Ishte një përballje mjaft tërheqëse. Për këtë meritë ka dhe Gjermania, një skuadër në gjendje t’i shkojë garës deri në fund dhe ta fitojë. Në tërësi e kemi dominuar takimin, por… “, ka shtuar ai.

Gjermania sipas Enrikes ka një grup mjaft të mirë, por dhe individë të shkëlqyer. Lojtari gjerman që i ka bërë më shumë përshtypje është Musiala, talenti i Bajernit.

“Musiala është një lojtar që më pëlqen shumë, është i jashtëzakonshëm”. E teksa Spanja është vetëm një hap larg kualifikimit, tashmë kanë nisur të bëhen llogaritë për rivalët e mundshëm në rrugëtimin e mëtejshëm. Por trajneri i Spanjës nuk ka asnjë preferencë. përkundrazi, mendon se skuadra e tij mund t’ia dalë ndaj kujtdo. “Nga ana futbollistike nuk kam parë asnjë skuadër më të fortë se Spanja, jemi më të mirët”, ka thënë Enrike.