Është ngritur Policia Detare për…”/ Policia ‘BLINDON” vendin për sezonin turistik, gati plani i masave

Në një konferencë për mediat Policia e Shtetit njoftoi masat lidhur me sezonin turistik, ndërsa ka bërë edhe bilancin e operacioneve të deritashnishme, kundër trafikimit të lëndëve narkotike .Në këtë deklaratë u bë me dije se në fokus mbetet parandalimi i kriminalitetit , si edhe garantimin e sigurisë si edhe masa për t’ju ardhur në ndihmë pushuesve.“Është ngritur policia detare për menaxhimin e hapësirës detare, nëpërmjet një flote prej 35 mjete lundruese me punonjës të certifikuar”, thuhet në deklaratë.

keta, të cilët do të patrullojnë në këto zona për parandalimin e krimit, forcimin e policimit komunitar, për t’iu ardhur në ndihmë pushuesve në nevojë, si dhe për mbikëqyrjen e vijës bregdetare.

Në funksion të sigurisë detare dhe sigurisë së pushuesve në plazhe, tashmë është ngritur dhe funksionon Njësia Policore Detare, e cila krahas shërbimeve të tjera të Policisë, për menaxhimin e sezonit turistik 2023, do të monitorojë të gjithë hapësirën ujore të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet një flote të përbërë nga 35 mjete lundruese Jet Ski dhe nëpërmjet një trupe policore të përbërë prej 105 punonjësish policie të trajnuar e certifikuar për drejtimin e mjeteve lundruese.

Aktualisht, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të policive vendore, vijojnë kontrollet për mjetet lundruese, kryesisht argëtuese dhe ato që përdoren për turizëm ditor (varka artizanale) në lumenj dhe liqene, për pajisjen me dokumentacion, si dhe për përmbushjen e kushteve teknike, me qëllim sigurinë e jetës së qytetarëve që i përdorin këto mjete lundruese.

Masa shtesë janë parashikuar edhe në drejtim të planifikimit të burimeve njerëzore shtesë në pikat e kalimit kufitar, me qëllim rritjen e kontrollit në kufirin e gjelbër, parandalimin e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, parandalimin e krimeve kufitare, si dhe forcimin e kontrollit në kufirin blu.

Gjithashtu, ka filluar kufizimi i qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave, në ditët e pushimeve javore dhe të festave zyrtare. Drejtoritë vendore të Policisë kanë filluar zbatimin e detyrimeve për kufizimin e lëvizjes së këtyre automjeteve, që prej datës 15 qershor dhe ky kufizim do të vijojë deri më 15 shtator 2023.

Në lidhje me monitorimin për parandalimin e ndotjes akustike dhe parandalimin e gjenerimit të zhurmave tej normave të lejuara, nga subjekte të ndryshme, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash të veçantë, i cili është i integruar në planin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për masat shtesë në kuadër të sezonit veror.

Për mjediset e hapura, orari i lejimit të veprimtarive për ditët e premte dhe të shtunë të jetë nga ora 19:00-24:00, ndërsa për ditët e tjera të javës të jetë nga ora 19:00-23:30, sipas normave të lejuara të zhurmës, të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët nr. 8, të datës 27.11.2007.

Në këtë kuadër Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të ndotjes akustike, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.

Me qëllim shkëmbimin e praktikave policore, mbështetjen për parandalimin e ngjarjeve kriminale që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, forcimin e sigurisë rrugore, si dhe për luftën kundër veprave penale me karakter ndërkufitar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në zbatim të Marrëveshjeve së Qeverive të Republikës së Shqipërisë me atë të Malit të Zi dhe me atë të Kosovës, kanë nënshkruar 2 protokolle bashkëpunimi të Policisë së Shtetit me Policinë e Kosovës dhe me Policinë e Malit të Zi, të cilat do të zbatohen gjatë sezonit turistik 2023.

Masa janë marrë edhe për parandalimin e krimeve mjedisore, kryesisht të ndërtimeve pa leje dhe të ndotjeve të tjera të mjedisit. Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me IMT-të e bashkive respektive, po kryejnë kontrolle jo vetëm në zonat bregdetare dhe në ato turistike, por në të gjithë territorin.

Me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve te Policia, është kërkuar nga punonjësit e Policisë së Shtetit, që të zbatojnë kërkesat e Kodit të Etikës në komunikim me shtetasit shqiptarë dhe të huaj, si dhe të jenë të papajtueshëm jo vetëm me sjellje joetike, por edhe me veprime të tjera të cilat do të cenonin imazhin e Policisë së Shtetit te qytetarët, apo më keq akoma, do të përbënin akte korruptive dhe të dënueshme penalisht.

Së fundi, Policia e Shtetit garanton qytetarët se është e vendosur dhe e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për qyetarët, vizitorët dhe turistët. Në këtë kuadër fton çdo qytetar që të denoncojë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencës 112, çdo paligjshmëri apo shqetësim që do të ketë, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm, profesional dhe të paanshëm.