Nikolo Barela është një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së Simone Inzagit dhe jo më kot italiani është projektuar të jetë kapiteni i ardhshëm i zikaltërve.
Që prej transferimit nga Kaljari në 2019, Barela ka qenë pjesë thelbësore e mesfushës zikaltër dhe duke pasur një profil të tillë, Interi nuk ka ngurruar për ta zgjatur kontratën e 25-vjeçarit që ka firmosur deri në 2026 me milanezët për një shumë prej 4.5 milionë eurosh në sezon plus bonuset.
Por, pavarësisht shifrave, në sy ka rënë qetësia me të cilën Nikolo ka realizuar negociatat, ku ndryshe nga shokët e tij i ka lënë mënjanë tekat dhe kërkesat e larta ekonomike.
Gjithsesi, edhe pse ka firmosur një rinovim afatgjatë, nuk janë të pakta klubet që duan të sigurojnë shërbimet e mesfushorit dhe pavarësisht se sa e rëndësishme duket lidhja e tij me fanellën zikaltër, kur në derë të troket Reali i Madridit, nuk ka asgjë absolute.
Nikolon duket se e pret një e ardhme e ndritur dhe Karlo Ançeloti dëshiron që karriera e tij të zhvillohet në Spanjë aty ku gjigantët madrilenë mund t’i ofrojnë mesfushorit mundësinë për të triumfuar në të gjitha frontet.
Jo vetëm Reali, por edhe ekipi tjetër i Madridit, Atletiko, e ka shënjestruar Barelën për mesfushën. Diego Simeone e vlerëson dhe kur ndjenja me Rodrigo de Pol nuk ka lindur asnjëherë, nevoja për një tjetër emër në atë pozicion është evidente.