Favoret e “Drejtësisë së Re”/ SPAK zvarrit drejt parashkrimit hetimin për Ardian Hajdarin e KPA

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, nxiti anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të vijojnë punën “pavarësisht presioneve”, siç e konsideroi ajo, në një takim me strukturën e “Drejtësisë së Re” që është goditur më shumë deri më tani nga hetimet penale  të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).

Dy nga shtatë anëtarët e shkallës së dytë të Vetingut janë kallëzuar penalisht për disa vepra penale, të cilat lidhen me dokumentat e aplikimit për në institucionet e reja të drejtësisë.

Njëri prej tyre, Luan Daci, tashmë është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për “falsifikim dokumentash”, megjithëse ai formalisht vijon të jetë në detyrë, falë një vendimi ekstra-ligjor të kolegëve të tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA).

Ndërsa çështja e tjetrit, Ardian Hajdarit, i denoncuar në një të njëjtin kallëzim me Luan Dacin, vijon të mbahet në duart e prokurorëve të SPAK-ut, pa u marrë ende asnjë vendim.

Tre ish-magjistratë e akuzojnë Ardian Hajdarin për manipulim të dokumentave kualifikues për në KPA.

Sipas kallëzuesve, Hajdari ka gënjyer kur ka deklaruar se ka mbi 15 vjet në profesionin e avokatit-një prej kushteve kualifikuese-, pasi, sipas tyre, ai nuk i justifikon me taksat e paguara në administratën tatimore.

Për këtë arsye, tre ish-magjistratët, në kallëzimin e dorëzuar në 19 Qershor 2020, kërkojnë nga SPAK-u që ta hetojë anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit edhe për “fshehje të të ardhurave”.