Favoritë edhe në “Camp Nou”, Bajerni dhe Myleri makthet e Barçës

Barcelona-Bajern do të jetë superpërballja e javës së parafundit në grupet e Ligës së Kampionëve, ku verdikti final mund të vendosë shumë mbi ecurinë e vendësve në këtë kompeticion, ndërsa nga krahu tjetër më shumë mund të vriten nga ana morale apo krenaria e bavarezëve, sesa kalimi në raundin tjetër. Rekordmenët e kanë siguruar kualifikimin që në javën e 4-t dhe tashmë në njëfarë mënyre do të duhet të respektojnë proceduara në lidhje me dy takimet e mbetura, por të besuarit e Nagelsmanit mund të kenë një motiv shtesë përveç emrit të kundërshtarit për të dhënë më të mirën e tyre, rekordin e fitoreve në fazën e grupeve, numërojnë 32 fitore radhazi në këtë të fundit.

Së fundmi Tomas Myler me shokët kanë postuar një video në rrjetin social “Instagram” nga zbarkimi në Barcelonë, aty ku theksi i përmbajtjes shkon në adresim të ish-shokut të 33- vjeçarit dhe pjesës tjetër nga “Allianz Arena”, Robert Levandovskit: “Leva po vijmë”, ishin fjalët që buçisnin në të. Kjo skenë mund të shikohet si një paralajmërim mbi atë çka e pret ekipin e Barçës dhe vetë Levën në duelin e mbrëmjes së sotme në mitikun e katalanasve.

GJIGANTËT GJERMANË TË PANDALSHËM – Gjatë 12 takimeve mes tyre në të gjitha kompeticionet ku ata kanë përplasur brirët në aspektin sportiv, klubi më i titulluar në tokën gjermane ka arritur të triumfojë në 9 raste. Humbja e fundit ndaj Barçës daton në sezonin 2014- ‘15 ku magjistari Mesi do të shkatërronte armatën bavareze me shifrat 3-0 brenda në “Camp Nou”-n e atëhershëm.

KATALANASIT NUK DOMINOJNË AS NË STADIUMIN E TYRE – “Spotify Camp Nou” është stadiumi më i madh në Europë me një kapacitet titani prej 99.354 spektatorësh, duke lënë mbrapa edhe impiante historike si “Uembli” apo “Santiago Bernabeu”. Pavarësisht këtij fakti, Bajerni ka fituar 3 nga 5 sfidat e luajtura në të. Një statistikë e tillë është treguese se bavarezët janë i vetmi klub që mbajnë këtë rekord pozitiv në fushën e “blaugranëve”, në kuadër të Champions-it.

MYLER, BAST I SIGURT PËR FITORE – Në 8 përplasjet me 26 herë kampionët e Spanjës, Tomas i ka përfunduar me triumf në 7 raste, statistikë e çmendur, duke marrë në konsideratë rivalin. Gjithashtu ai ka kontribuar në 10 gola ndaj Barcelonës me 8 finalizime dhe 2 asiste. Duke e kthyer thuajse në një bast të sigurt sa herë që “plakushi” nga Mynihu aktivizohet në lojë ndaj spanjollëve.