Fenomeni’ më i mirë se Van Basten”, Morati flet për eksperiencën e tij te Interi: Me Berluskonin…

Masimo Morati është rikthyer të flasë për gjithë eksperiencën e tij të gjatë si president i Interit, duke treguar nga pasioni i trashëguar nga babai te rivaliteti me Milanin e Berluskonit, e duke u ndalur më pas tek e tashmja zi kaltër te dobësia e tij për Ronaldo “fenomenin”.

TRASHËGIMIA – “Mua im atë më la dashurinë e madhe për Interin dhe për punën. Ai më mësoi të marr vendimet e duhura dhe të qëndroj pas tyre duke marrë të gjitha përgjegjësitë për to. E pata këtë në mendje edhe në momentin që bëra zgjedhjen për t’u larguar nga Interi.

Ndonjëherë mendon të ndalosh kur gjërat nuk janë duke funksionuar, por pastaj ke një ndjenjë detyre dhe përgjegjësie që të shtyn të nisësh nga e para dhe kjo më lejoi të jem aq gjatë në krye të Interit.

Gjithsesi, edhe pse mendoj se nuk ishte koha e duhur kur u largova nga Interi pasi ishte një ndryshim jetësor për mua, mendoj se ishte e drejtë ta bëja këtë, sepse pas kaq shumë vitesh mendova do të ishte e përshtatshme të ishte dikush tjetër në krye të Interit”.

BERLUSKONI – “Rivaliteti me Berluskonin ishte një nga forcat shtytëse që më motivoi të bëja më mirë. Kur mora presidencën e Interit, Milani ishte në maksimumin e tij dhe unë duhej të përpiqesha që skuadra ime të ishte në të njëjtin nivel.

Atëherë Berluskoni më paralajmëroi të kisha kujdes, sepse klubet kushtonin shumë para, por mendova së po më mashtronte, edhe pse më vonë e pashë që kishte të drejtë.

Me Silvion kemi pasur një raport rivaliteti të pamohueshëm në planin sportiv, por kemi ndarë gjithmonë një simpati të madhe. Ai fitoi gjithçka me Milanin, si mund të mos e respektosh një njeri të tillë? Diktoi një rend të ri në futbollin italian”.

BENFIKA – “Portugezët ishin një pengesë gjigante në rrugën e Interit. Nuk është kaluar plotësisht, por është bërë më shumë se 50% e punës. Jam i bindur që Interi do të kualifikohet dhe pastaj do të shohim një italiane në finale”.

RONALDO – “Më i miri mes “fenomenit” dhe Van Bastenit? Për mua Ronaldo është lojtari më i mirë që ka mbërritur në Itali pas luftës”.