Javën e kaluar vuajti në tribunë kundër Valencias. Mbrëmë ka vuajtur në stol kundër Bilbaos. Por në të dyja rastet në fund Ksavi dhe Barcelona e tij ia kanë dalë të fitojnë.Dhe trajneri i katalanasve nuk e ka fshehur kënaqësinë për një fitore që e afron edhe më shumë me titullin në La Liga.
“Kjo është një fitore e artë. Kjo ishte një nga ato transferta që e kemi shënuar me të kuqe në kalendarin tonë dhe nuk mund ta fsheh gëzimin që e kemi kaluar me sukses. Ajo që më vjen keq është se është përsëritur i njëjti skenar si më parë. Kontrollojmë gjithçka për 70-75 minuta, por nuk e mbyllim ndeshjen dhe në fund vuajmë tmerrësisht. Në fund janë tri pikë shumë të rëndësishme, por duhet të përmirësohemi në lojë. Nuk mund t’i mbajmë të gjitha ndeshjet pezull deri në fund, duhet t’i mbyllim më herët. Por tani sikur jemi mësuar me vuajtjet”, ka thënë me humor trajneri i Barcelonës.
Tifozët vendas nuk i pritën aspak mirë katalanasit për shkak të skandalit në lidhjen me korrupsionin e arbitrave. Numri një i pankinës u shfaq i befasuar nga reagimi i tifozëve baskë.
“Unë e respektoj publikun në ‘San Mames’. Ata më kanë trajtuar gjithmonë shumë mirë, por kjo atmosferë armiqësore ndaj Barçës më befason dhe më trishton. Nuk mendoj se është e mirë. Ne do të dëshironim të luanim një ndeshje më të qetë, por ky është ‘San Mames’. Është e vështirë të fitosh këtu. Të gjithë janë të lirë, unë i respektoj opinionet, por ne po gjykohemi para kohe. Nuk kam çfarë të shtoj më shumë. Më trishton kjo situatë. Ne presim të luajmë futboll. Duhet të fokusohemi te ndeshjet. Jam krenar për ekipin tim“, përfundoi ai.