Fitorja ndaj Interit, Bremer tregon sakrificën: Kërkova të luaja edhe pse kisha temperaturë!

Gleison Bremer ishte një ndër rikthimet më të rëndësishme të bardhezinjve në mbrëmjen e djeshme. Mbrojtësi brazilian u vendos në qendër të mbrojtjes me tre të Juves, duke e realizuar me sukses misionin e tij për të mbajtur larg sulmuesit zikaltër.

“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, pas një jave të vështirë. Unë vija nga një dëmtim, pastaj pata temperaturë dhe isha në dyshim, por i kërkova trajnerit të luaja.

Bëmë mirë në mbrojtje dhe falë Zotit që arritëm të merrnim tri pikët”, tha numri 3 i Juves, që foli edhe për modulin e ndjekur nga Alegri:

“Luajmë më mire më tre mbrojtës, edhe pse me këtë grup lojtarësh edhe me katër paraqitemi si duhet”. Bremer foli edhe për ndikimin e eliminimit nga Champions-i:

“Unë sapo kam ardhur te Juventusi dhe nuk marr përsipër t’u them të tjerëve si duhet të punojmë, pasi unë po përpiqem të mësoj.

Nuk jam penduar për zgjedhjen time, pavarësisht eliminimit, por tani duhet të punojmë pa u ndalur, sepse kemi karakter dhe krenari. Duam të fitojmë diçka, pavarësisht se të tjerët janë para dhe duam t’i kapim”.