Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, e ka ndjekur takimin nga tribuna për shkak të pezullimit me dy ndeshje pas kartonit të kuq ndaj Getafes.
Edhe ai, sikurse të gjithë në “Montjuiç” kanë vuajtur deri në momentin kur Pedri ka thyer rezistencën e Kadizit. Duke folur pas takimit, Ksavi e ka pranuar se ka qenë një ndeshje e vështirë dhe se Barça duhet të mësohet me situata të tilla gjithnjë e më shpesh.
“Rrezikuam ta pësonim, sepse duhej të kishim shënuar shumë më herët. Për fat të keq na mungon efektiviteti. Gjithsesi kemi lojtarë që dinë të na zgjidhin ndeshjen. Kjo është arsyeja për se afruam në ekip një lojtar si Gyndoan, për atë pasim si në golin e Pedrit”, ka deklaruar Ksavi.
Më pas numri një i stolit të Barçës ka vënë në dukje lojën e Jamal dhe Ferran Torresit.
“Jamal është një lojtar i shkëlqyer, jemi të lumtur me atë çfarë ai është në gjendje të bëjë, ndonëse në një moshë fare të re. Sikurse jam shumë i kënaqur me Ferran Torresin. Ka pritur momentin e tij, ka zbritur në fushë dhe ka shënuar. Të gjithë duhet të jenë gati si ai, është shembull për të gjithë”, tha Ksavi.