Të shtunën në përballjen me Romën, Interi e di se duhet të hapë një faqe të re në sezonin e tij, pas asaj të parës që nuk u shkrua si duhet nga formacioni zikaltër.
Humbja ndaj Lacios, Milanit e Udinezes në kampionat, duke lënë mënjanë Champions-in, kanë bërë që nënkampionët e Italisë të pozicionohen në vendin e shtatë pas shtatë javësh të Serisë A, duke e kthyer në detyrim ecurinë pozitive deri në pauzën e Botërorit, nëse duan që të qëndrojnë akoma në garë për titullin.
Rifillimi vjen me të reja në kampin zikaltër që duhet të bëjnë pa Marselo Brozoviçin e dëmtuar, në vendin e të cilit pritet të aktivizohet Kristjan Asllani.
Arsyeja për të cilën u afrua elbasanasi ishte pikërisht për të zëvendësuar kroatin, që me çdo mungesë të tij një sezon më parë e ka dënuar Interin me humbje.
Mjafton kjo për të kuptuar përgjegjësinë që do të ketë 20-vjeçari mbi shpatulla të shtunën, i vetmi që ka cilësitë natyrale për të marrë në dorë regjinë.
E ka treguar këtë më së miri edhe gjatë verës, me paraqitje cilësore dhe gola në miqësore, deri në besimin e pakët që Inzagi i ka ofruar me nisjen zyrtare të sezonit.
Për një arsye apo për një tjetër, trajneri zikaltër e ka kursyer Asllanin, që me qetësinë dhe durimin që e karakterizon tani mund të rrëmbejë mundësinë që do t’i jepet, për të provuar se meriton më shumë hapësirë dhe për të ndihmuar skuadrën e tij të zemrës.
LUKAKU E DIMARKO – Por ndërsa u mendua se në dispozicion të Iznagit do të rikthehej edhe Lukaku, belgu nuk ia dalë të rikuperojë as për të qenë në stol, duke e privuar Interin nga personaliteti dhe forca psikologjike që siguron.
Në një situatë të tillë, trajneri duhet të bazohet te burimet e tjera dhe konkretisht te Federiko Dimarko.
23-vjeçari është i kudondodhuri i Inzagit, që e përdor në të gjithë korsinë e majtë, si në vend të Bastonit në prapavijë apo në atë të Gosensit në mesfushë.
Italiani ishte fantastik në ndeshjen me kombëtaren, duke shënuar edhe një gol dhe nëse i shton energjinë e tij grintës dhe kurajës së Lukakut apo gjeometrisë së Asllanit, Inzagi mund ta presë i qetë Romën.