Në dalje të seancës që zgjati fare pak minuta, Berisha tha se nuk e njeh vendimin e Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi, dhe se ai mund të shkojë kur të dojë në selinë blu. Berisha tha se ai do të nisë nga brenda punën për ringritjen e PD, ndërsa tha se grupi parlamentar nuk u pyet fare për përjashtimin e tij.
“Në Kuvend më i vendosur, më i motivuar se kurrë në jetë për të mbrojtur interesin publik të qytetarëve shqiptarë të kombit shqiptar, për të denoncuar të gjitha aferat e këtij regjimi, regjim i cili ka zgjedhur shpifjen, trillimin, kurthet pazaret për eleminimin e opozitarëve shqiptarë. Unë garantoj se ajo që ndodhi është një marrëveshje Rama Basha, në kurriz të zgjedhësve shqiptarë dhe duhet çmontuar një minutë e më parë. PD është parti e lirisë dhe e të drejtave njerëzore, jam i bindur që demokratët shqiptarë do të dinë të vendosin PD në piedestalin që meriton.
Do marr çdo nismë brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton. Unë jashtë çdolloj diskutimi jam anëtar i grupit të PD, vendimi, kompromisi Rama Basha është nul, përveçse flliqësirë kundër opozitës.
Mund të hyj në çdo kohë në seli, është e afërt dita kur PD do të rifitojë të gjithë forcën dhe legjitimitetin për të shporrur klikën dhe pazaret e flliqura me ata që e shndërrojnë PD në fasadë. Grupi as që nuk është pyetur fare”, u shpreh Berisha në dalje të Kuvendit.