Foden sherr të fortë me Guardiolën, sulmuesi kërcënoi trajnerin e Sitit

Janë zbuluar detaje në lidhje me një grindje të fortë mes Fill Fodenit dhe Pep Guardiolës. Lojtari i akademisë pritet të luajë një rol më të madh për Mançester Sitin këtë sezon, pasi Ilkai Gyndogan dhe Rijad Mahrez u larguan nga klubi këtë verë. 23-vjeçari pritet të aktivizohet ose në krahun e djathtë të Mahrezit ose të luajë më shumë në qendër të mesfushës, një pozicion që e ka lakmuar prej kohësh.

Dhe tani “The Telegraph” ka zbuluar detaje të një debati që rezultoi të ishte një pikë kthese midis Guardiolës dhe Fodenit, ku menaxheri i Sitit kuptoi se mund t’i besonte Fodenit edhe si një lider. Përplasja ndodhi gjatë një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve me Porton, kur Foden u kritikua nga Pep për të mos e ekzekutuar një goditje dënimi në mënyrën siç trajneri e kishte porositur. Guardiola e qortoi atë nga stoli, duke i thënë: “Dreqi e mori Fill! Nuk bëre atë që të thashë!” Foden i qëndroi i zemëruar në dhomën e zhveshjes dhe e priti trajnerin në derë duke e kërcënuar:

“Mos guxo të ma bësh më kurrë këtë! Nuk do ta bëje këtë me lojtarët e tjerë”. Tani mësohet se Guardiola i kërkoi një ndjesë të madhe për fjalët e tij të nesërmen, duke thirrur edhe një mbledhje të ekipit për t’i kërkuar falje Fodenit përpara lojtarëve të tij dhe pagoi edhe një gjobë që i vendosi vetes. Privatisht, Guardiola ngeli i befasuar me aftësinë e Fodenit për të mbrojtur veten. Sot ai e konsideron anglezin një lojtar me cilësi lideri dhe e ka pjesë të planeve të tij në fushë më shumë sesa sezonin e shkuar.