Ka qenë dje dita e blerjeve të reja në Milanon zikaltër. Lazar Samarxhiç dhe Emil Audero kanë kryer vizitat mjekësore për llogari të Interit dhe presin tashmë t’i bashkohen skuadrës së Inzagit për të kryer pjesën e mbetur të kësaj faze përgatitore deri në ndeshjen me Monzën më 19 gusht.
AUDERO – Emil Audero ka mbërritur i pari në klinikën mjekësore për të kryer vizitat mjekësore dhe ka përfunduar të gjitha procedurat para se t’i drejtohej selisë zikaltër për firmat, me zyrtarizimin që erdhi në mbrëmje. 26-vjeçari, që do të jetë zëvendësuesi i Jan Zomerit mes shtyllave, është transferuar nga Sampdoria si huazim me të drejtë blerjeje për 6.5 milionë euro me Interin që ka tashmë në dispozicion edhe portierin e dytë duke kompletuar kështu portën. Itinerarin e kundërt, atë MilanoXhenoa pritet ta bëjë Filip Stankoviç, 21-vjeçari serb që ka mbrojtur portën e zikaltërve gjatë këtyre miqësoreve që po ashtu do i bashkohet Sampdorias në huazim.
SAMARXHIÇ – Mesfushori ka kryer po ashtu dje të gjitha procedurat për të qenë lojtari më i ri i Interit, edhe pse firmat për serbin mungojnë ende. Në Milano nuk kanë mbërritur ende agjentët dhe babi i tij për të zyrtarizuar transferimin, por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar për vetë Samarxhiçin që ka qetësuar tifozët në dalje. “A do të kthehem në Udine? Jo jo”, kanë qenë fjalët e serbit ndaj tifozëve zikaltër në dalje të klinikës mjekësore, ndërkohë që firmat priten në fundjavë.
Interi do të paguajë menjëherë 4 milionë euro ndërkohë që detyrimi i blerjes për mesfushorin është caktuar në 16 milionë euro. Shifrës do i shtohen edhe 2-3 milionë euro bonuse ashtu si kartoni i Xhovani Fabian që do të vlerësohet me 4 milionë euro, për të cilin Interi ka një të drejtë riblerje rreth 10 milionë euro. 21-vjeçari do të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare dhe rrjedhimisht do të jetë i lidhur me zikaltrit deri në 2028-ën, me rrogën që pritet të shkojë në 1.5 milionë euro. Me mbërritjen e Samarxhiçit, Inzagi ka kompletuar tashmë edhe mesfushën dhe gjithë fokusi i merkatos pritet të jetë te sulmi.